Pamje nga Vushtrria

Historia e Vushtrriasit që shiti viçin për ta varrosur nënën dhe paguar antarsinë në BIK

Sabri Beqirin nga Akrashtica e Vushtrrisë, është detyruar ta shesë një viç për të kryer ritualin e vdekjes dhe varrimit të nënës së tij.

Sipas Beqirit, Këshilli i Bashkësisë Islame e ka detyruar atë të paguaj 417 euro për anëtarësimin.

Në lidhje me këtë ka reaguar Këshilli i Bashkësisë, të cilët thonë se anëtarësia është çështje e ndarë nga shpenzimet e varrimit.

“Asnjë qytetar i Vushtrrisë nuk paguan për shpenzime të varrimit, e për më tepër Bashkësia Islame nuk ka ndodhur asnjëherë që të refuzojë shërbimet e varrimit të ndonjë qytetari për mos pagesë, aq më tepër te rastet skamnore. Shpenzimet e ritit të varrimit për çdo qytetar që nga janari 2018 i mbulon Komuna e Vushtrrisë”, thuhet në njoftim.

KALLXO.com ka kontaktuar me Shemsi Rrahimin nga Bashkësia Islame në Vushtrri, për të pyetur nëse është kusht pagesa e anëtarësisë.

“Jo nuk është e obligueshme. Është vetëm pagesë vullnetare”, ka thënë Rrahimi për KALLXO.com.

Në lidhje me rastin e Sadri Beqirit nga Akrashtica e Vushtrrisë, Rrahimi ka thënë se ai vullnetarisht ka shkuar të bëjë pagesën për anëtarësim.

“Ai ka ardhur vullnetarisht të lajmëroj për rastin dhe të bëjë pagesën për antarësim, ne nuk i kemi thënë të bëjë pagesën. Na ka thënë “tani që është rasti edhe kam edhe ndihmën e vllaznillakut””, ka thënë Rrahimi.

Ai ka sqaruar se Këshilli i Bashkësisë Islame ka qenë i njoftuar se ai është rast skamnor dhe për këtë e ndihmojnë rregullisht edhe imamët me ndihma mujore material e ushqimore, por zyrtari i Këshillit ku është paguar anëtarësia nuk ka qenë i informuar se është rast skamnor, pasi Beqiri nuk ka paraqitur ndonjë dëshmi, e aq më tepër kur i njëjti ka ardhur me para në dorë në KBI dhe pa asnjë vërejtje a kërkesë për lirim, e ka paguar anëtarësinë.

“Sektori i ceremonisë së varrimit nuk kanë qenë të njoftuar se ai është rast social për atë i kanë marrë parat”, ka thënë Rrahimi.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me Beqirin, për të pyetur nëse vet ka shkuar vullnetarisht të bëjë pagesën për anëtarësim, por ai e ka mohuar këtë.

“Jo, nuk është e vërtetë. Ata e kanë ditë qysh e kam rasti krejt, por më kanë detyruar të bëjë pagesën dhe më kanë thënë se e kemi me ligj”, ka thënë Beqiri.

Beqiri ka treguar se Këshilli i Bashkësisë Islame në Vushtrri, vazhdimisht e ka ndihmuar atë, dhe kanë qenë të informuar për gjendjen e tij.

Në lidhje me rastin e Sabri Beqirit ka reaguar sot edhe kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri.

Tahiri ka thënë për KALLXO.com, ka thënë se asnjë qytetar nuk e ka obligim ligjor të paguajë anëtarësim në Bashkësinë Islame dhe të gjitha ceremonitë e varrimit paguhen nga komuna.

“Paratë të cilat i ka paguar qytetari Sabri Beqiri, në emër të anëtarësisë, i janë kthyer pasi është evidentuar si rast skamnor”, ka thënë Tahiri.

Ai ka shtuar se mos marrëveshja për pagesën prej 417€ ka ardhur për shkak të mos komunikimit të duhur qytetar-KBI.