Historia 12-Vjeçare e një Palestre Sportive

Ndonëse ka nisur të ndërtohet 12 vjet më parë, palestra sportive në Kamenicë zor që do të përfundohet gjatë këtij viti.

Kryetari aktual i Komunës, Begzad Sinani, në zgjedhjet e fundit lokale në vitin 2013, në debatin “Jeta në Komunë”, kishte premtuar se palestrën do të ketë në fokus në dy vitet e para të qeverisjes së tij.

Por, ndonëse Sinani ka nisur vitin e tretë të mandatit, palestra është po aty ku ishte në kohën kur ai e dha premtimin para qytetarëve.

Sipas zyrtarëve komunalë, Komuna ka kryer obligimet e saj.

Ata akuzojnë Ministrinë e Rinisë, Kulturës e Sportit se ka neglizhuar punët.

Por, ndryshe nga komuna mendon zyrtari nga LDK-ja, Jeton Biqkaj.

“Realisht, qeverisja aktuale nuk është treguar e përgjegjëshme ndaj palestrës sportive, sepse palestra sportive ka një kronologji të zhvillimeve apo të realizimit të këtij projekti. Qysh në vitin 2004, Komuna ka arritur një marrëveshje me Ministrinë e Kulturës që të financohet projekti i palestrës sportive, ku atë kohë Komuna kishte participuar në vlerë prej 100,000 eurosh”, tha ai.

Biqkaj, që njëherit është dhe shef i grupit asamblistëve të LDK-së, tha se kryetari aktual nuk ka dashur që ky projekt të realizohet vetëm pse ka qenë i inicuar nga LDK-ja.

“Në vitin 2007 ka fituar kryetari aktual Begzad Sinani, i cili është treguar mjaft i papërgjegjëshëm në raport me palestrën sportive, kur dihet se në atë kohë qeverinë e ka udhëhequr PDK-ja, dhe kryetari është tregu i papërgjegjëshem duke mos u interesuar për vazhdimin e punimeve në palestrën sportive por duke propagandu e duke bërë fushatë që ky projekt është nisë nga LDK-ja dhe duhet të rrëzohet se nuk është i qëndrushëm”, u shpreh asamblisti Biqkaj.

Ai tregoi se në atë kohë ishte formuar edhe një komision nga profesorë të Fakultetit Teknik të Universitetit të Prishtinës, të cilët kishin vlerësuar se gjendja e objektit është e mirë dhe mund të vazhdoheshin punimet.

Ndërsa, Faton Biqkaj, shef i personelit të Komunës, për KALLXO.com përmes e-mailit ka thënë se Komuna ka paguar pjesën e pagesës dhe dy fazat e tenderimit janë përfunduar.

Ai tregoi se Ministria ka ndarë 300 mijë euro dhe shpreson që punët do të përfundojnë gjatë këtij viti.

“Tani është vetëm faza finale e përfundimit. Pas kërkesës sonë janë ndarë 300 mijë euro dhe ka përfunduar afati i tenderimit. Është në fazën e vlerësimit dhe besojmë se shumë shpejt do të fillojnë punët dhe do të përfundohet brenda këtij viti”, thotë ai.

I pyetur pse nuk kanë përfunduar punët deri më tash, Biqkaj thekson se nuk ka pasur vullnet politik për përfundimin e këtij projekti, pasi bartëse e projektit është Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.