Raportimi para komisionit| Foto: KALLXO.com

Hilmi Jashari Flet për Rrymën për Veriun

Para Komisionit për të Drejtat e Njeriut, avokati i popullit Hilmi Jashari tregoi angazhimin e tij që çoi në heqjen e faturimit të rrymës për veriun qytetarëve tjerë të Kosovës.

Jashari tha se kontaktet me Zyrën e Rregullatorit të Energjisë për këtë çështje i nisi në prill.

Ai tregoi se ky ngarkim i qytetarëve tjerë të vendit me rrymën e shpenzuar në veri është në kundërshtim me Ligjin Kundër Diskriminimit, Ligjin për Konsumatorët, Ligjin për Marrëdhënie Detyrimore.

“E konfirmojnë se rryma e shpenzuar në veri i inkasohet pjesës tjetër të Kosovës, kur i kemi pyetur ata na kanë thënë që KEDS kish bankrotu”, tha Jashari, duke raportuar para komisionit.

Jashari deklaroi se ZRrE-së më pas i ishte kërkuar që brenda 30 ditësh t’i përgjigjej raportit me rekomandime të avokatit të popullit për rrymën e shpenzuar në veri.

Jashari duke folur edhe më tutje për kronologjinë tha se gjykata e ka shfuqizuar përkohësisht vendimin e ZRrE-së për shpenzimet e rrymës në veri.

“Gjykata e ka shfuqizu përkohësisht vendimin e ZRRE-së. Po presim shqyrtimin që do të mbahet në gjykatën themelore”, tha Jashari.

Ai deklaroi se në këtë rast Avokatit të Popullit po i intereson nëse janë shkelur të drejtat e njeriut.

“Në fatura nuk njoftohen qytetarët kështu që ata nuk kanë qenë në dijeni për t’u ankuar. Neve po na intereson se a janë shkelur të drejtave të njeriut”, tha Hilmi Jashari.

Anëtarja e komisionit Teuta Haxhiu shtroi pyetjen se për interesa të kujt punon Zyra e Rregullatorit të Energjisë.

Për mua pikëpyetje e madhe se në interes të kujt punon ZRRE ja. Këtu po shkelen me të dy këmbët të drejtat e njeriut. Raporti të shqyrtohet e të mos votohet në Kuvend”, tha Haxhiu.

Anëtarja tjetër e komisionit Mirjeta Kalludra ngriti shqetësim sekush do ta paguajë rrymën e shpenzuar në veri.

“Me këtë raport, është shqetësuese dhe kërkesë se si do të bëhet ai kompensim. A ka ndodhë e njëjta edhe me ujin”, tha Kalludra.

Ndërsa Lirije Kajtazi kërkoi praninë e përfaqësuesve të ZRrE-së për të treguar sipas saj se pse është shkelur e drejta e qytetarëve.

KALLXO.com shkroi në fund të nëntorit se rryma do të lirohet, pasi qytetarët të mos paguajnë për veriun.

http://kallxo.com/qytetaret-nuk-paguajne-per-veriun-rryma-lirohet-per-35/