Hillary Clinton duke lexuar librin "Zjarr dhe Furi", Foto: The New York Times

Hillary Clinton 'Lexon' Librin për Donald Trump

Leximi i një pjese të librit “Zjarr dhe Furi” nga Hilary Clinton në ceremoninë e ndarjes së çmimeve Grammy, shkaktoi reagimin e presidentit Trump në Twitter.

James Corden mikpritësi i shfaqjes në ceremoninë për ndarjen e çmimeve muzikore Grammy prezantoi një pjesë nga audicionet me njerëzit e famshëm ku ata lexonin fragmente nga “Zjarr & Furi”, librit politik nga Michael Wolff rreth kaosit brenda administratës Trump.

Derisa Clinton po e mbante librin “Zjarr dhe Furi” para fytyrës dhe po lexonte ajo iu kthye James Corden dhe i tha se “ai (Trump) kishte frikë për një kohë të gjatë se do të helmohej, një arsye pse ai pëlqente të hante në McDonald’s është se askush nuk e dinte se ai po vinte dhe ushqimi ishte i përgatitur në mënyrë të sigurt”. Kjo fjali e Clinton më pas mori edhe aprovimin e Corden, njofton ‘The New York Times’.

Ndër të famshmit e tjerë që u bënë pjesë e audicioneve për leximin e librit ishin edhe këngëtarët John Legend, Cher, Snoop Dogg, Cardi B dhe DJ Khaled. Të gjithë dhanë më të mirën e tyre por duartrokitjet u shtuan me tu shfaqur në ekran ish-kandidatja për presidente, Hillary Clinton. Kështu lexuesja fituese e këtij audicioni ishte Hillary Clinton.

Kjo shkaktoi të qeshura në sallën ku po mbahej ceremonia e ndarjes së çmimeve Grammy, por jo të gjithë ishin të kënaqur me këtë. Presidenti i ShBA-së, Donald Trump dhe Nikki R. Haley, ambasadorja e ShBA-së në Kombet e Bashkuara ishin midis atyre që shkruan në Twitter pakënaqësitë e tyre.

“Leximi i librit me lajme të rreme duket si një çmim i madh ngushëllimi për humbjen e presidencës”, thuhet në postimin e presidentit, Donald Trump në Twitter.

“E kam dashur gjithmonë ceremoninë e ndarjes së çmimeve Grammy, por leximi i librit “Zjarr dhe Furi” nga artistët e vrau atë. Mos e prishni muzikën e mrekullueshme me plehra. Disa prej nesh e duan muzikën pa u përfshirë politika në të”, shkroi në Twitter, Nikki Haley, ambasadorja e ShBA-së në Kombet e Bashkuara.