Hidhet poshtë padia e SBAShK-ut kundër vendimit për kompensimin e orëve
Gjykata në Prishtinë e ka hedhur poshtë si të pabazuar padinë e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës lidhur me vendimin e Ministrisë së Arsimit për kompensimin e orëve të mësimit që ishin humbur gjatë grevës.
Këtë e konfirmoi për KALLXO.com, kryetari i SBAShK, Rrahman Jasharaj.
Ai tha se do të bëjnë ankesë ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit.
“Jemi duke përgatitur materialin për tu ankuar në Gjykatën e Apelit. Ne jemi të pakënaqur sepse kemi shumë argumente që nuk i ka marrë për bazë e ish dashtë t’i merr Gjykata e shkallës së parë. Ne vazhdojmë të qëndrojmë prapa vendimit të Këshillit Drejtues, kompensim të orëve nuk do të ketë.”, tha Jasharaj.
Me 26 shkurt, MAShT-i kishte marrë vendim që të kompensohen orët e humbura, ku pas kësaj Sindikata e kishte paditur Ministrinë dhe si masë të sigurisë kishte kërkuar pezullimin e vendimit, mirëpo kjo masë u refuzua nga gjykata.
Në janar të këtij viti, mësimdhënës nga Kosova të organizuar nga SBAShK kishin mbajtur grevë, në shenjë pakënaqësie me renditjen e mësimdhënësve në Ligjin për Paga.
Që nga ajo kohë, ministria dhe sindikata nuk janë marrë vesh lidhur me kompensimin e orëve të humbura, ndërsa një numër i vogël i shkollave kanë respektuar vendimet për mbajtjen e mësimit kompensues.
KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për çështjen e kompensimit të orëve.