Gjykimi për naftën jocilësore | Foto: KALLXO.com

Hib Petrol reagon ndaj dënimit nga gjykata

Kompania Hib Petrol reagoi sot, në ditën kur Gjykata Themelore në Prishtinë e gjeti fajtore për mashtrim në rastin e naftës jocilësore për komunën e Prishtinës.

“Jemi të shokuar nga vendimi i Gjykatës Themelore të Prishtinës dhe njëkohësisht të indinjuar që edhe një herë kompania jonë po bëhet viktimë e qëllimeve dashakeqe”, thuhet në reagimin e Hib Petrol.

“Ne deri sot kemi besuar në drejtësi dhe kontestet tona gjithmonë jemi munduar t’i zgjidhim përmes rrugëve ligjore”, thuhet në reagim.

Kujtim Bucaliu nga kjo kompani u dënua me dënim unik, prej 4 vjet burgim si dhe dënim me gjobë në vlerë 15 mijë euro ndërsa përfaqësuesit juridik të HIB Petrol shpk, Shkelzen Hetajt, gjykata i shqiptoi dënim unik me gjobë në vlerën prej 30 mijë euro. Po ashtu gjykata ka vendosur që të konfiskohet edhe autoboti për naftë pronë e kompanisë HIB Petrol shpk që furnizoi me naftë jocilësore.

“Kontributin dhe sakrificën tonë për këtë vend e kemi dëshmuar me dekada por nuk do të pranojmë të bëhemi viktimë e kurrfarë qëllimi. Nëse ne si një ndër kompanitë më të mëdha në vend, me mbi 1,000 të punësuar, ndihemi totalisht të pambrojtur në një vend ku drejtësia është e dirigjuar atëherë si ndihet një qytetar i thjeshtë?”, thuhet në reagim.

“Ne besojmë fuqishëm që aktgjykimi nuk është bazuar në prova kredibile ligjore, ndërkohë që kemi parë refuzim të vazhdueshëm në prezantimin e provave të palës mbrojtëse”, vazhdon reagimi.

Hib Petrol tha se Aktgjykimi i dhënë sot nga Gjykata Themelore në Prishtinë nuk është vendim i marrë në bazë të asaj që është trajtuar në Gjykatë.

“Provat e administruara kanë dëshmuar të kundërtën. Por, fatkeqësisht Gjykata shpalli një aktgjykim të pabazuar në prova. Ne nuk do të rreshtim së kërkuari drejtësi duke ndjekur të gjitha rrugët ligjore, dhe besojmë fuqishëm se kjo çështje do të ketë fundin e mirë me shpresën që edhe ky vend të fillojë të ketë drejtësi.”, thuhet në reagimin e kompanisë.

Gjatë shqiptimit të aktgjykimit, kryetari i trupit gjykues Rrustem Begolli, ka thënë se Kujtim Bucaliu dhe HIB Petrol shpk, me vetëdije kanë mashtruar blerësin, Komunën e Prishtinës, duke vepruar në kundërshtim me kontratën duke vënë në qarkullim produktin e naftës që nuk i përgjigjet konformitetit lidhur me lëndët djegëse me ç’rast i kanë shkaktuar Komunës së Prishtinës dëm në vlerë të madhe.

http://kallxo.com/gjykata-vendos-per-kujtim-bucaliun-dhe-hib-petrolin/

Sipas aktakuzës, Kujtim Bucaliu si personi përgjegjës i personit juridik HIB Petrol Sh.P.K dhe personi juridik HIB Petrol Sh.P.K, në intervalin kohor prej 8 shkurt të vitit 2012 e deri më 30 janar të vitit 2014, pas nënshkrimit të kontratës kornizë publike e lidhur në mes HIB Petrol Sh.P.K dhe të dëmtuarës Komunës së Prishtinës për furnizimin e 44 institucioneve edukative-arsimore brenda territorit te Komunës se Prishtinës me naftë për ngrohje dhe gjeneratorë, tani i pandehuri, personi përgjegjës i personit juridik HIB Petrol Sh.P.K me vetëdije ka mashtruar blerësin, Komunën e Prishtinës, në vazhdimësi me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të fondeve publike.

Në aktakuzë thuhet se personi juridik HIB Petrol Sh.P.K, gjatë ekzaminimit te kontratës se lartcekur, pasi paraprakisht ka siguruar vajra gazore për ngrohje nga burime të paidentifikuara, me anë të paraqitjes se rreme të fakteve përmes fletëpagesave lidhur me përmbajtjen dhe cilësinë e naftës sipas specifikacioneve të kontratës së lartcekur e mashtron dhe e nxit Komunën e Prishtinës që të veprojë në dëm të pasurisë së saj, duke i ofruar produktin e naftës që nuk përkon me kriteret dhe cilësinë e karburanteve të lëngëta të naftës të paraparë për vlerën e konformitetit të lëndës djegëse, në këtë mënyrë duke kaluar deri në 80 herë më shumë prezencën e sulfurit në naftë duke i shkaktuar kështu dëm në shkallë të madhe të dëmtuarës – Komunës së Prishtinës.

Me anë të këtyre veprimeve, Kujtim Bucaliu akuzohet për veprën penale të mashtrimit si dhe personi juridik HIB Petrol Sh.P.K për mashtrim të blerësve.

Ky gjykim është rast i shënjestruar për liberalizimin e vizave.