Seanca gjyqësore ndaj personave të akuzuar për shmangie tatimore – Foto: KALLXO.com

Hetuesi i ATK-së Dëshmon në Gjykimin për Shmangie Tatimore

Haziri u mor në pyetje nga Tahir Rrecaj, avokati i Enver Hasanit, i cili akuzohet se si pronar i biznesit “Banana” ka pranuar fatura fiktive nga të akuzuarit Blerim e Fatmir Sinani, Skender e Samir Sinanaj, Isa Dërguti dhe Sabit Sogojeva.

Dëshmitari në fillim foli për raportin final të hetimit, për të cilin tha se është i bazuar në dëshmitë, në të gjeturat, dokumentacionet si dhe bastisjet qp janë bërë.

Më tutje, ai tha se vëllai i Enver Hasanit, Quni, njëkohësisht edhe bashkëpronar i NTP “Banana”, i ka ofruar të gjitha dokumentacionet e kompanisë.

Në bazë të këtyre dokumentacioneve, dëshmitari ka arritur të vërtetojë se NTP “Banana” është furnizuar me mall nga bizneset e tjera në vlerë prej rreth 407 mijë eurove.

E njëjta vlerë është pranuar nga hetuesit tatimorë, pasi që mallit i është gjetur origjina.

“Bizneset të cilat e kanë furnizuar kompaninë e kanë dëshmuar furnizimin për 407,630.72 euro. Kjo vlerë është pranuar për shkak se mallit i është gjetur origjina”, tha Haziri.

Por, për origjinën e pjesës tjetër të mallit dëshmitari tha se nuk ka pasur mbulesë me dokumentacion.

Haziri, i cili njëkohësisht është edhe vetë përpiluesi i këtij raporti, pohoi se bizneset të cilat kanë furnizuar kompaninë NTP “Banana” nuk kanë pasur blerje për mallrat të cilat i kanë lëshuar faturat.

“Kompanitë ‘Toni’, ‘Biti’, ‘Aim’, ‘Blera’, ‘Adi’ për subjektin NTP ‘Banana’ fare nuk kanë pasur origjinë të mallrave”, tha Haziri.

Dëshmitari theksoi se biznesi i Enver Hasanit i ka pasur blerjet fiktive, por asnjëherë nuk kanë deklaruar se biznesi në fjalë ka lëshuar fatura fiktive.

Sipas aktakuzës, Blerim, Skender dhe Fatmir Sinani, Isa Dërguti, Samir Sinanaj, Ramadan e Sabit Sogojeva, Enver Hasani dhe Mentor Emini, duke funksionuar si grup i organizuar në periudhën kohore 2010-2014, me qëllim që vetes t’i sjellin pasurim të drejtpërdrejt financiar, i kanë regjistruar bizneset e tyre, disa prej tyre fiktive.

Aktakuza sqaron se për t’iu shmangur pagesës së tatimit të akuzuarit kanë lëshuar fatura fiktive dhe ua kanë mundësuar edhe bizneseve të tjera shmangien nga tatimi.

Në bazë të aktakuzës, disa nga bizneset të cilave u janë lëshuar faturat fiktive nga të akuzuarit në fjalë janë: “Asi” SH.P.K, “Lesa” SH.P.K, dhe NTP “Besa” me pronar të akuzuarin Blerim Sinanin, NTP. “Skenda” dhe “Vali-2” pronar i të cilave është i akuzuari Skender Sinani, “Konto-Web” me pronar të akuzuarin Isa Durguti, “O and M” me pronar të akuzuarin Mentor Emini, “Banana” me pronar Enver Hasanin e shumë kompani të tjera.

Të akuzuarit e këtij procesi për krim të organizuar në lidhje me dokumente të rreme për tatimin qenë deklaruar të pafajshëm në qershor 2006.

http://kallxo.com/84-pyetjet-e-tahir-rrecajt-ne-gjykimin-per-demin-4-milionesh/

http://kallxo.com/ndihen-te-pafajshem-te-akuzuarit-per-shmangie-nga-tatimi/

Nëntorin dhe dhjetorin e vitit të kaluar në Emisionin “Jeta në Kosovë” u shfaq hulumtimi në tri vazhdime për një vjedhje të organizuar tatimore që ishte bërë nëpërmjët shmangies nga tatimi me anë të firmave fantome.

Këtë skandal e kishte raportuar në KALLXO.com kallxuesi Murat Mehmeti, hetues në Administratën Tatimore të Kosovës.

Vjedhja e Organizuar Tatimore

Vjedhja e Organizuar Tatimore 2

Vjedhja e Organizuar Tatimore 3