Heshtje Rreth Arratisjes së Parë të Sami Lushtakut

Pasi të martën Lushtaku u arratis për herë të dytë nga QKUK-ja, organet e ndjekjes nuk flasin rreth hetimeve për arratisjen e parë.

Në kohën kur janë duke u marrë me arratisjen e dytë të Sami Lushtakut, organet e ndjekjes nuk pranojnë të japin informacione rreth hetimeve për arratisjen e parë të Sami Lushtakut, Ismet Haxhës dhe Sahit Jasharit në maj të viti të kaluar.

Një vit më vonë KALLXO.com ka kërkuar sqarime se deri ku kanë arritur këto organe me hetimet për këtë rast. Përgjigjet e organeve të rendit nuk japin konfirmim të qartë se çfarë ka ndodhur.

Policia e Kosovës thotë se për rastin e vitit të kaluar ka pranuar një informacion nga një punonjës i Shërbimit Korrektues.

“Në atë kohë ne pastaj veç kemi pranuar informacionet se personi në fjalë është arrestuar nga EULEX-i. Vlen të potencohet se Policia e Kosovës nuk ka qenë përgjegjëse për sigurimin e tij,” thuhet në përgjigjen e policisë, e cila nuk komenton se çfarë ka ndodhur më tutje.

Atëherë Lushtaku, Haxha e Jashari refuzonin të shkonin në paraburgim në Qendrën e Paraburgimit në veri të vendit për shkaqe sigurie.

Edhe zyrtarë të EULEX-it në lidhje me arratisjen e Lushtakut të martën nga QKUK-ja nuk komentuan nëse janë duke bërë hetime, ngase nuk i komentojnë hetimet në vazhdim e sipër, por treguan masat që ndërmorën kur mësuan për ikjen.

“Lushtaku është arrestuar këtë javë, të martën dhe u akuzua për shkelje të rregullave të burgimit. Ai u dëgjua nga një gjyqtar në të njëjtën mbrëmje. Vendimi i gjyqtarit ishte për të dërguar atë në Podujevë në burgun e sigurisë së lartë,” thuhet në përgjigjen e EULEX-it për KALLXO.com

Ndërsa Liridona Kozmaqi zëdhënëse e Prokurorisë së Shtetit dha përgjigje të ngjashme si të EULEX-it për hetimet e mundshme.

“ Ju informoj se prokuroria nuk komenton lidhur me hetimet që janë në vazhdim e sipër, as për të konfirmuar as për të mohuar aktivitetet,” tha Kozmaqi.

Avokati i Sami Lushtakut, Arianit Koci, tha se është i kufizuar në përgjigje, për shkak se gjyqtari e ka ndaluar zbulimin e çfarëdo informacioni lidhur me ngjarjen e fundit në spital.

“Pretendohet sa ka shkelje të urdhrit të gjykatës dhe ky rast po hetohet. Sidoqoftë, z. Lushtaku asnjëherë nuk ka pasur qëllim që të ikë,” tha Koci për KALLXO.com

Sipas tij, Lushtaku është dënuar në shkallën e parë, për vrasjen e një personi të paidentifikuar, kufoma e të cilit nuk është gjetur dhe nuk është gjetur mjeti i kryerjes së veprës penale.

Koci deklaroi se është ankuar ndaj këtij dënimi në Gjykatën e Aëpelit dhe është në pritje të shqyrtimit të ankesës së tij.

KALLXO.com shkroi për transferimin e Lushtakut në Burgun e Gërdovcit.