Nga mbledhja e kryesisë së LDK-së. Foto: Kallxo.com

Heshtja e LDK-së pas rrahjes në Prishtinë

Pas përleshjeve fizike në nëndegën e LDK-së në Mat të Prishtinës pasditen e sotme, zyrtarë të lartë të këtij subjekti politik janë të paqasshëm për reagimet pas incidentit.

KALLXO.com ka kontaktuar zyrtarë të lartë të partisë, si nënkryetarët Haki Rugova e Agim Veliu, shefin e Grupit Parlamnetar të LDK-së Avdullah Hoti, zëdhënësin e partisë Besian Mustafa, deputetin Arban Abrashi, deputeten Besa Gaxherri, por të njëjtit e kanë mbyllur telefonin.

Ndërkaq, deputeti nga radhët e LDK-së, Driton Selmanaj ka thënë për KALLXO.com se nuk ka shumë informacione për përleshjen në fjalë.

“Për atë thirrni anëtarët e Kryesisë, sepse ata merren me organizimet dhe masat disiplinore që merren ndaj tyre. Unë s’kam çka më dhënë mendim, unë si Driton. Edhe ashtu jam i përfshirë në një proces zgjedhor në Prizren dhe nuk kam shumë informata se çfarë ka ndodhur”, ka thënë deputeti.

Pasditen e sotme në këtë degë ka ndodhur një përleshje fizike gjatë procesit zgjedhor.

Në mediat vendore është publikuar një video ku shihen pjesëmarrësit e kuvendit zgjedhor duke u përleshur fizikisht me karrikg.

Incidentin në fjalë për KALLXO.com e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës.

Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ka thënë për KALLXO.com se tre persona janë shoqëruar në stacionin policor.

“Sot rreth orës 17:30 kemi pranuar informatën për një mosmarrëveshje mes disa personave në një shkollë në Matiqan. Menjëherë  njësitet policore të Drejtorisë Rajonale të Policise në Prishtinë, kanë intervenuar dhe kanë shoqëruar në stacion policor tre persona.  Me rastin po merren njësitet kompetente”, ka thënë Ahmeti.

Në anën tjetër, ditë më parë kryetari i LDK-së Isa Mustafa i kishte fajësuar mediat për incidentet në partinë e tij.

“Është e natyrës së mediave publike e private që të prodhojnë lajme, edhe me disa sjellje të papranueshme të disa individëve nga nëndegët e LDK-së. Por s’mund ta kuptoj ngarendjen e këtyre individëve që të prodhojnë lajme me budallalleqet e tyre dhe të njerëzve nga partitë e tjera që prishin tubimet e LDK-së!”, kishte shkruar Mustafa në Facebook.