Sadik Tahiraj, ish- drejtor i Arsimit në Drenas. Foto: Kallxo.com

‘Heshtja e Falsifikimit të Notave’, Shkarkohet Drejtori i Arsimit në Drenas

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, e nënshkroi sot shkarkimin e tij nga kjo detyrë dhe transferin e tij në një pozitë tjetër të arkivin e komunës.

Në hulumtimin e transmetuar në emisionin ‘Jeta në Kosovë’, ‘Heshtja e Falsifikimit të Notave’, është dëshmuar se drejtori Tahiraj kishte treguar neglizhencë në verifikimin dhe ndërmarrjen e masave ndaj rastit të falsifikimit të notave në shkollën fillore “Shote Galica” në fshatin Tërdec.

Heshtja e Falsifikimit të Notave

Ky drejtor kishte shqiptuar vetëm një vërejtje me shkrim ndaj mësuesit Fehmi Ramaj që ka falsifikuar notat e 12 nxënësve në shkollën ‘Shotë Galica’, në Tërdec të Drenasit.

Sipas kallëzuesit Ramadan Ramaj, Tahiraj kishte kërkuar që rasti të mbulohej duke mos e informuar as Inspektoratin e Arsimit për këtë çështje.

Të gjeturat e hulumtimit të emisionit “Jeta në Kosovë” dëshmojnë se në shkollën e Tërdecit kishte ndërhyrje në ditarin e shkollës nga mësuesi Fehmi Ramaj si dhe ndërhyrje të dyshimta në librin amë të po kësaj shkolle.

Kryetari i Komunës së Drenasit, kishte premtuar në emisionin ‘Jeta në Kosovë’ se do të marrë masa pas pranimit të raportit nga ky drejtor.

Ndërkaq sot, në ceremoninë e emërimeve të reja të stafit të tij ai ka lajmëruar largimin e Tahirajt nga pozita e Drejtorit të Arsimit.

Ish-drejtori i Arsimit, z. Sadik Tahiraj është transferuar në Drejtorinë e Administratës Komunale, përkatësisht shef i Sektorit të Arkivit.

Lladrovci pritet që në ditët e ardhshme të përcaktohet se kush do ta udhëheqë Drejtorinë Komunale të Arsimit.

http://kallxo.com/kallxuesi-ramadan-ramaj-merr-mirenjohje-nga-asamblistet/