Gjykimi i mjekëve në Rastin "Medicus" | Foto: KALLXO.com

Heshtja e anesteziologut si mbrojtje në Rastin ‘Medicus’

Anesteziologu Sokol Hajdini që në Rastin “Medicus” akuzohet për lëndim të rëndë trupor vendosi të mbrohej në heshtje.

Mbrojtjen në heshtje Hajdini e tregoi pas një pyertje të kryetares së trupit gjykues Franceska Fischer.

“Në gjykimin e parë ju keni dhënë deklaratë dhe u jeni përgjigjur pyetjeve me datën 10 prill 2013, a qëndron pranë asaj deklarate të asaj kohe apo dëshironi të mbroheni në heshtje?”, pyeti Fischer.

“Dua të mbrohem në heshtje”, ishte përgjigjja e Sokol Hajdinit.

Mbrojtësi i Sokol Hajdinit, avokati Ramë Gashi, me rastin e deklarimit të klientit të tij se dëshiron të mbrohet në heshtje, i kërkoi gjykatës që gjykata të mos marrë për bazë deklarimet e dëshmitarit në shqyrtimin e kaluar gjyqësor në lidhje me ato prova të cilat janë shpallur të papranueshme si nga ky trup gjykues dhe po ashtu edhe në shqyrtimin e kaluar gjyqësor.

”Mbrojtja thekson se të gjitha pjesët e mbrojtjes së tij që kanë lidhje, apo deklarimet e tij që kanë lidhje me provat të cilat nga kjo gjykatë dhe edhe më herët janë shpallur të papranueshme, deklarimi i tij nuk mund të jetë i pranueshëm apo duhet të jetë i papranueshëm dhe nuk mund dhe nuk duhet të merret nga gjykata në rastin e vendosjes në lidhje me këtë çështje penale”, tha avokati Gashi.

Këtyre kërkesave të avokatit, kryetarja e trupit gjykues Franceska Fischer iu përgjigj me fjalët se me vetë faktin se klienti i tij ka vendosur që të mbrohet në heshtje gjykata gjatë marrjes së vendimit nuk do të marrë për bazë deklaratat e tij të dhëna gjatë shqyrtimit të kaluar gjyqësor.

Bashkë me Sokol Hajdinin në këtë proces gjyqësor po akuzohet për trafikim me qenie njerëzore dhe krim të organizuar edhe Lutfi Dervishi që ishte pronar i Klinikës “Medicus” në të cilën nga prokuroria po pretendohet se u krye transplantim i veshkave.

Pjesë e këtij gjykimi ishte edhe Arban Dervishi, djali i Lutfi Dervishit, por procedura ndaj tij është veçuar, ngase ai ndodhet në arrati.

Urologu Lutfi Dervishi ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë me 8 vjet burg në vitin 2013, ndërsa Sokol Hajdini me 3 vjet.

Gjykata e Apelit më pas ia kishte vërtetuar dënimin Dervishit, ndërsa Hajdinit ia kishte shtuar vitet e dënimit me burg nga 3 vjet në 5.

KALLXO.com ka përcjellë në vazhdimësi rastin “Medicus”.