Gjimnazi "Loyola" në Prizren - Foto: Facebook

Helmohen Nxënësit në Prizren

24 nxënës të Gjimnazit “Loyola” në Prizren kanë kërkuar ndihmë mjekësore të enjten pas shfaqjes së simptomave të helmimit.

Nxënësit të cilët po qëndronin në konviktin e kësaj shkolle private u trajtuan në Spitalin Rajonal “Dr. Daut Mustafa” në Prizren në repartin e Infektivës.

Drejtori i përgjithshëm i Spitalit, Afrim Avdaj, tha për KALLXO.com se nga 24 nxënësit që kanë kërkuar ndihmë 10 janë hospitalizuar për shkak të simptomave të helmimit.

“Nga 24 nxënësit që kanë kërkuar ndihmë 10 janë ndalë për hospitalizim, ndërsa 14 të tjerët pas kontrollimit janë lëshuar në shtëpi dhe nuk ka pasur nevojë për qëndrim në spital. 10 të pranuarit në spital kanë qëndruar 1 ose 2 dytë dhe janë lëshuar në shtëpi me gjendje të përmirësuar. Gjatë ekzaminimit nxënësit kanë treguar se kanë simptoma të helmimit, kanë pasur vjellje, barkqitje, temperaturë‘’, tha Avdaj për KALLXO.com.

Në anën tjetër Sijeta Braha, zëvendësdrejtoreshë e Gjimnazit ‘’Loyola’, nuk pranoi të komentojë mbi ngjarjen, duke udhëzuar që t’i referohemi njoftimit publik që është publikuar nga kjo shkollë.

Në këtë njoftim, thuhet se ekzistojnë dyshimet për helmim nga ushqimi ndërkaq si masë parandaluese kjo shkollë ka mbyllur konviktin për tre ditë.

‘’Me qëllim që nxënësit të kalojnë këtë fazë qetësisht dhe të bëhen mjekimet dhe analizat e nevojshme si dhe për parandalimin e përhapjes së kësaj dukurie edhe tek nxënësit e tjerë, kemi vendosur që përkohësisht ta mbyllim konviktin dhe mensën”, thuhet në njoftim.

Sa i përket diagnozës së saktë të nxënësve apo shkaqet e helmimit, Avdaj ka thënë se rezultatet e mostrave janë në dërguar në Institutin e Shëndetit Publik.