Mitrovica - Foto: Petrit Rrahmani

Helmim Masiv në Mitrovicë

Së paku 116 persona, kryesisht të rinj në moshë, në mesin e tyre edhe nxënës, kanë kërkuar sot ndihmë mjekësore në Spitalin e Përgjithshëm të Mitrovicës “Dr. Sami Haxhibeqiri”.

Pacientët kanë shenja të një helmimi të mundshëm.

“Spitali ka angazhuar të gjitha kapacitetet me të gjitha repartet dhe stafin dhe që të gjithëve u është dhënë ndihma mjekësore nga stafi profesional”, njofton Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës.

Sipas ShSKUK-së, pacientët kanë filluar të paraqiten në spitalin e Mitrovicës nga ora 11:30 dhe sipas statistikave të Spitalit rezulton se 116 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore.

“Ndërkohë,  nga mjekët kujdestar në Klinikën Infetkvie, raportohet se 3 raste janë transferuar në këtë Klinikë si raste që kanë pasur nevojë të trajtim të mëtejmë dhe janë jashtë rrezikut”, shton ShSKUK.

Shumica e rasteve janë liruar nga Spitali i Mitrovicës, por  ka ende pacientë që janë në mjekim e sipër.

“SHSKUK, ka angazhuar të gjitha kapacitetet  profesionale  dhe është i gatshëm të ofrojë kujdesin shëndetësor në rastet që kërkojnë ndihmë mjekësore”, thuhet në komunikatën e ShSKUK.