Konferenca e LDK-së | Foto: KALLXO.com

Haziri: Samiti i Sofjes nuk është ekskursion politik

Nënkryetari i Lidhjes Demokratikë të Kosovës Lutfi Haziri në konferencën e përjavshme për media të kësaj partie, ka thënë se  është dashur të ketë më shumë kujdes në përfaqësimin  Kosovës në Samitin  e Sofjes.

Ai konstatoi se Kosova është dashur të përfaqësohet më dinjitetshëm në samitin që bëri bashkë zyrtarë të lartë europianë dhe nga Ballkani Perëndimor.

“Të mos kuptohet Samiti i Sofjes si ekskursion politik ku mbi 60 anëtarë të qeverisë marrin pjesë. Presidenca, Qeveria dhe të tjerët që janë pjesë e kësaj. Një delegacion shumë i madh”, tha Haziri.

Ai nuk e cilësoi fitore diplomatike praninë e Kosovës në samit.

“LDK- ja nuk e quan fitore diplomatike pjesëmarrjen e Kosovës në Samitin e Sofjes. Ne e quajmë pjesëmarrje të natyrshme dhe të barabartë, natyrisht të Kosovës në kuadër të këtij angazhimi,  sepse vetë Samiti ka pasur karakter historik”, tha nënkryetari Haziri.

Nënkryetari i LDK-së dhe kryetari i Gjilanit përmendi edhe deklaratën e përbashkët të dalë nga Samiti i Sofjes ku përmendt intregriteti territorial i shteteve.

“Në një artikull të veçantë, përmendet sovraniteti dhe  integriteti i shteteve në Ballkan që nuk mund të preket nga askush”, u shpreh ai.

Haziri konstatoi se me këtë Kosova e merr një mbështetje të fuqishme në sovranitetin dhe integritetin e vet territorial dhe largon pengesat në rrugën drejt qëllimeve.

Në këtë konferencë që pretendohet të jetë vazhdimësi e konferencave të dikurshme për gazetarë të organizuara nga ish-presidenti Ibrahim Rugova, Haziri përmendi edhe çështjen e vizave.

Ai tha se nuk duhet të lejojmë manipulim me data as nga këtu, e as nga Sofja, sepse marrjen e një date të saktë e bën Këshilli i Ministrave.

“Sa herë që këta pushtetarët tonë i përmendin vizat na e shtyjnë nga një vit”, tha Haziri.

Ai tha se data do të vijë nga institucionet e BE-së

“Rekomandimi do të qartësohet por data do të vijë nga Këshilli i Ministrave dhe në këtë rrafsh duhet të punojmë shumë me presidentin Donald Tusk, me shtetet  drejtpërdrejt dhe  përveç shteteve që nuk e pranojnë pavarësinë e Kosovës, kemi edhe numër të shteteve që kanë hezitime serioze në këtë çështje”, deklaroi nënkryetari i LDK-së Lutfi Haziri.

Ai kërkoi që Kosova të absorbojë më shumë fonde.

“Vetëm të rriten mundësitë që në të gjitha nivelet në të absorbojmë fonde për investime dhe mundësi të zhvillimit ekonomik dhe zhvillimit lokal ekonomik në përgjithësi, që njerëzit ta shohin perspektivën brenda republikës tonë e jo jashtë saj, sepse kjo po i frikëson shumicën e shteteve te zonës Schengen”, përfundoi Haziri.

LDK-ja në konferencat e përjavshme vazhdimisht kërkoi bisedime për caktimin e datës së zgjedhjeve.