Haziri: Nuk do miratohej Ligji për Prishtinën, pa rolin pozitiv të LDK-së

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, në konferencën javore të LDK-së tha se pa rolin e tyre pozitiv nuk do të miratohej ligji për Prishtinën.

“Qeveria në koalicion është pakicë dhe nuk mund ta realizojnë asnjë qëllim ashtu siç nuk kanë mundur dje ta miratojnë ligjin për Prishtinën pa rolin tonë pozitiv”, tha ai.

Sipas Hazirit, roli i LDK-së edhe në ratifikimin e demarkacionit është përshëndetur nga Partia Popullore Europiane.

Ai tha se LDK-ja me rolin konstruktiv si opozitë, është duke bërë shtyrjen e agjendës europiane përpara.

“Si LDK do ta mbështesim agjendën tonë legjislative por ka ardhur koha që të shkojmë drejt një zgjedhje të përbashkët, konsensuale të datës së përbashkët në mënyrë që të angazhohemi në rrugën europiane”, përfundoi Haziri.