Lutfi Haziri, LDK, Gjilan. Foto: Kallxo.com

Haziri Cakton Ekipin për Bisedime Rreth Koalicioneve

Lutfi Haziri, kryetari i Gjilanit përmes një postimi ka njoftuar se në takimin e sotëm të Kryesisë së Degës së LDK-së në Gjilan u caktua një ekip i cili do të merret me diskutime me partitë politike për kalicionin qeverisës.

“Në takimin e sotëm të kryesisë së degës, u caktua ekipi për të zhvilluar diskutimet me partitë politike në Gjilan për një qeverisje gjithëpërfshirëse në Kuvendin Komunal”, shkroi Haziri.

Po ashtu ai ka theksuar se në këtë mbledhje është diskutuar edhe për programin qeverisës për katër vjetët er ardhshëm në Gjilan.

“Programi 2018 + për qeverisjen katërvjeçare të Komunës së Gjilanit është program i zhvillimit ekonomik lokal, i favorshëm për bizneset e vogla dhe të mesme dhe i investimeve të mëdha në infrastrukturë, arsim, shëndetësi, bujqësi, kulturë, rini e sport, përmes të cilit do do të ndodhë tregimi i madh për Gjilanin”, ka theksuar Haziri.

Në zgjedhjet lokale të 22 tetorit Haziri nga LDK ka shkuar në balotazh me Sami Kurteshin e VV-së, të cilin e mposhti bindshëm në raundin e dytë të zgjedhjeve me 19 nëntor.

Lutfi Haziri u zgjodh kryetar i Gjilanit edhe për një mandat me 63.97 për qind të votave, ose 21 mijë e 67 vota.