Haxhiu: Thaçi në Bruksel përfaqëson vetveten

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka thënë sot në një konferencë për media se presidenti Thaçi në takimin e sotëm me presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiq nuk përfaqëson Republikën e Kosovës por, sipas saj, ai e përfaqëson vetveten.

“BE duhet ta dijë se Hashim Thaçi nuk e përfaqëson Republikën e Kosovës. Ai s’ka legjitimitet. Ky person përbën rrezik për të ardhmen e vendit dhe nuk e ka as legjitimitetin e as mbështetjen për ta përfaqësuar Republikën e Kosovës. Përveç ish-partisë së tij askush tjetër nuk e do atë përfaqësues aq më pak një dialog të ri që nuk i dihet as qëllimi dhe as përfundimi”, tha ajo.

Sipas saj, që nga koha e fillimit të procesit të dialogut me Serbinë, dialogu ishte politik dhe i ndërtuar mbi premisa të gabueshme.

“Kosova më shumë ka qenë temë e dialogut sesa palë në dialog, kurse Serbia përcaktuese e agjendës. Madje në gjithë këtë procesin gjashtë vjeçar të dialogut u përjashtuan temat e rëndësisë jetike siç janë të pagjeturit, viktimat  e dhunës seksuale, plaçkitje gjatë okupimit, dëmet e luftës dhe gjendja me shqiptarët në Preshevë, Medvegjë e Bujanovc”, u shpreh ajo.

Haxhiu tha se presidenti Hashim Thaçi e që në kohën kur kanë filluar bisedimet ishte kryeministër i vendit, sipas saj ai nisi bisedimet pa kushte dhe pa parime dhe ky proces ishte i mbyllur, pa transparencë dhe pa llogaridhënie.

“I gjithë ky proces i negociatave nisi me arsyetimin se përmes këtij procesi do të kemi njohje nga Serbia , do të ketë integrim të serbëve në jetën shoqërore dhe institucionale si dhe do të antarësohemi në Bashkimin Europian. Asnjëra prej këtyre sot s’ka ndodhur”, tha tutje Haxhiu.

Ajo tha se nuk mund të vazhdohet një fazë e re e dialogut pa e pasur një vlerësim për dialogun.

“Ne nuk mund të vazhdojmë në një fazë të re të dialogut pa e pasur një vlerësim për dialogun , pa vendosur se me çfarë korniza do të paraqitemi në marrëdhëniet e tilla dhe se çfarë do të fitojë Kosova prej proceseve të tilla”, deklaroi deputetja Haxhiu.

E nënkryetarja e Lëvizjes Vetëvendosje Fatmire Kollçaku tha se në krye të delegacionit për bisedime me Serbinë është “njeriu që nuk është president i mire”. “I dimë rrethanat që u soll ai në presidencë, e që ky president deri më tani nuk ka dhënë përgjegjësi për sjelljet e bëra”.

“Siç e dini tani për t’i arsyetuar këto shkelje po tentohet që të bëhen edhe Serbia po e detyron Kosovën që Zajdenica të implementohet sipas kësaj marrëveshje dhe jo me respektim të Republikës së Kosovës, prandaj siç duket do të ndryshojë kushtetuta por jo që të japë presidenti përgjegjësi për marrëveshjen e dëmshme të nënshkruar”, tha ajo.

Sipas saj dialogu deri më tani i ka sjellë dobi dhe një prespektivë të qartë europiane vetëm Serbisë, ndërsa për Kosovën vetëm koncesione të dëmshme.