Presidenti Hashim Thaçi së bashku me udhëheqësit e Luginës së Preshevës, Foto: KALLXO.com

Haxhiu: Thaçi 'grabiti' liderët e Luginës nga tryeza e VV-së

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu duke iu referuar takimit të presidentit Thaçi me liderët e Luginës së Preshevës ka thënë se Hashim Thaçi i ka marrë nga shkallët e Kuvendit të Kosovës disa përfaqësues të Luginës të cilët po shkonin në tryezën e organizuar nga Lëvizja e Vetëvendosje.

“Nga frika se mos ai del keq para opinionit publik, në tryezën e organizuar sot nga Lëvizja Vetëvendosje në Kuvendin e Republikës së Kosovës për të drejtat e shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, Hashim Thaçi (që e ka zyren një kat më poshtë) i mori nga shkallët e Kuvendit disa përfaqësues të Luginës që po vinin në tryezë, duke shfrytëzuar poziten e tij të presidentit, e duke i vendosur përfaqësuesit e Luginës në një pozicion krejtësisht të pafavorshëm”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.

Haxhiu më tutje ka shtuar që Thaçi i mbajti këta përfaqësues në mbledhje dhe pastaj nxorri në konferencë për shtyp, për të mbuluar faktin se asnjëherë nuk e ka ngritur çështjen e të drejtave të tyre në dialogun me Serbinë.

“Si gjithmonë Thaçi i ka shfrytezuar interesat e kombit shqiptar vetëm për pushtetin e tij”, ka thënë Haxhiu.

Ajo ka thënë se nëse Lëvizja Vetëvendosje të mos e kishte organizuar këtë tryezë, Thaçi kurrë nuk do t’i kishte ftuar në takim dhe as nuk do t’a mbante këtë konferencë.

“Ku edhe njëherë ai foli me formula retorike boshe”, ka përfunduar Haxhiu.

https://kallxo.com/thaci-ceshtja-e-lugines-se-presheves-do-te-jete-pjese-e-dialogut-me-serbine/

https://kallxo.com/thaci-nuk-do-te-kete-ndarje-te-kosoves/