Albulena Haxhiu, deputete nga radhët e Vetëvendosjes

Haxhiu kërkon dorëheqjen e Dardan Molliqajt

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu ka kërkuar dorëheqjen e deputetit Dardan Molliqaj.

Kjo pasi ky i fundit sot në Kuvend dha detaje mbi pretendimin e tij se Glauk Konjufca, deputet i LVV-së, ishte pjesë e Shërbimit Informativ të Kosovës (ShIK).

“2000 – 2001 është viti kur Konjufca ka shërbyer në ShIK. Paga 150 marka, rekrutimin e ka bo Fadil Lepaja, sektori në të cilin ka punu është përpunimi i të dhënave”, tha Molliqaj.

Pas kësaj ka reaguar Fadil Lepaja i cili ka mohuar kategorikisht se ka qenë pjesë e organizatës ShIK.

“Me përgjegjësi të plotë penale, dhe morale, deklaroj se kurrë në jetën time, nuk kam qenë pjesëtar as bashkëpunëtor, me vetëdije, e besoj as pa vetëdije, i Shërbimit Informativ të Kosovës. Më vjen keq që emri im qenka keqpërdorë në debate, në të cilat nuk kam interes dhe e kam nën dinjitet të përfshihem”, ka shkruar Lepaja në Facebook.

Kjo deklaratë, sipas deputetet Haxhiu duhet të jetë arsye e dorëheqjes së Molliqajt.

“Pas deklaratës së Fadil Lepajës, i kërkoj publikisht Dardan Molliqajt të jep dorëheqje nga posti i deputetit!”, shkroi Haxhiu.

Kujtojmë se Glauk Konjufca dhe Dardan Molliqaj kanë qenë bashkëpartiakë para se një grup të ndahet nga Lëvizja Vetëvendosje dhe të formohet Partia Socialdemokrate, deputet i së cilës tani është Dardan Molliqaj.

https://kallxo.com/lepaja-deklarimet-e-dardan-molliqajt-jane-marrezira/