Haxhiu i quan hipokrite kërkesat e PSD-së

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu ka shkruar se kërkesat e PSD-së janë joserioze, hipokrite dhe shpërfillëse ndaj debatit që e kishin thirrur.

“Kur në Kryesinë e Kuvendit është vendosur për pushim të Kuvendit, kjo nuk është kundërshtuar nga PSD, madje as atë të hënë kur ndonëse nuk u votua ndonjë rezolutë e Kuvendit për shkak të mungesës së kuorumit, nuk kundërshtuan shkuarjen në pushim andaj tani kërkesat e tyre janë joserioze dhe hipokrite”, ka shkruar deputetja.

Haxhiu ka ripërsëritur kërkesat e LVV lidhur me dialogun, e cila tha se nëse këto nuk përfshihen, s’ka kuptim asnjë rezolutë tjetër.

Postimi i plotë i saj:

“Kur në Kryesinë e Kuvendit është vendosur për pushim të Kuvendit, kjo nuk është kundërshtuar nga PSD, madje as atë të hënë kur ndonëse nuk u votua ndonjë rezolutë e Kuvendit për shkak të mungesës së kuorumit, nuk kundërshtuan shkuarjen në pushim andaj tani kërkesat e tyre janë joserioze dhe hipokrite.
Por po ashtu kanë qenë fare pak të përfshirë në debat madje shumë pak prej tyre, dy apo tre kanë qëndruar në sallë në kohën e debatit, shumë pak prej tyre kanë folur. Komplet qasje joserioze e shpërfillëse ndaj debatit që e kishin thirrur.

PSD tashmë e ka uzurpuar pozicionin e nënkryetares në Kryesinë e Kuvendit andaj të paktën tani le t’i shfrytëzojnë të gjitha të drejtat dhe mundësitë që i jep Rregullorja e Punës.
Ata duhet të kuptojnë poashtu që ne si grup kemi propozuar pika për votim lidhur me dialogun dhe atë si në vijim:

  1. Të ndërpritet formati aktual i dialogut me Serbinë
    2. Askush në emër të Kosovës nuk mund t’i negociojë çështjet e brendshme të Republikës së Kosovës
    3. Reciprocitet i plotë politik, ekonomik e tregtar me Serbinë
    4. Reciprocitet i të drejtave të popullit shqiptar në Serbi me popullin serb në Kosovë
    5. Padi për gjenocid kundër Serbisë
    6. Hashim Thaçi është person jokredibil për ta udhëhequr dialogun e ardhshëm me Serbinë

Nëse këto nuk përfshihen, s’ka kuptim asnjë rezolutë tjetër.