Haskuka kërkon nga policia të identifikojnë personin që shkaktoi zjarrin në “Pashaqeshme”

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka ka shprehur shqetësimin e tij për zjarrëvëniet e fundit në Kosovë.

Ai përmes disa fotografive të postuara në Facebook ka treguar pamjet nga shtegu për në “Pashaqeshme”, pjesë kjo e cila është djegur.

Këtë akt, kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka e ka quajtur vandalizëm.

“Këto pamje janë nga shtegu për “Pashaqeshme”, vandalizëm… Kemi menduar që strategjia e “tokës së djegur” ka përfunduar me tërheqjen e trupave të Millosheviqit, por ja që ka të tillë që i vënë zjarrin bukurive natyrore të Kosovës”, ka shkruar Haskuka.

Ai ka kërkuar nga organet e hetuesisë të identifikojnë personin i cili ka shkaktuar këtë zjarr.

“Zjarrëvënia është akt kriminal me ligjet e Kosovës dhe dënohet deri në 5 vjet burg. Ftoj policinë, organet e hetuesisë që të identifikojnë këta kriminelë që të marrin dënimin që e meritojnë”, ka përfunduar Haskuka.