Hashim Thaçi | Foto: KALLXO.com

Hashim Thaçi shpjegon çka do të thotë ‘zgjidhje e balancuar’ në dialog me Serbinë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se partneriteti i Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian nuk mund të cenohet nga askush.

“Në asnjë çmim, në asnjë rrethanë nuk do të ketë refuzim të partneritetit, ngase bashkëpunimi strategjik dhe i përhershëm në mes Kosovës dhe SHBA-së, është interes jetik”, ka deklaruar Thaçi. Ai u ka kërkuar partnerëve të koalicionit aktual qeverisës që të diskutojnë dhe të marrin vendimin e duhur në lidhje me kërkesën e SHBA-së dhe BE-së për pezullimin e tarifës doganore të vendosur ndaj mallrave që importohen nga Serbia dhe Bosnja.

Radio Evropa e Lirë: President Thaçi, këto ditë janë zhvilluar disa takime dhe biseda të zyrtarëve amerikanë dhe liderëve politikë të Kosovës. A mund të na thoni se për çfarë është biseduar?

Hashim Thaçi: Unë e vlerësoj angazhimin për takime të përbashkëta të partnerëve të koalicionit, kryetari të Kuvendit, gjithashtu kryeministrit dhe liderëve të tjerë të partnerëve të koalicionit, për hapat e mëtutjeshëm që duhet t’i ndërmarrin institucionet e vendit, në një koordinim edhe më të mirë edhe me SHBA-në dhe Bashkimin Evropian për të ardhmen e proceseve të rëndësishme dhe jetike për Kosovën. Prandaj, edhe takimi im sot me liderët institucionalë dhe politikë ishte pjesë e inkurajimit për ndërmarrjen e veprimeve të duhura, të mençura dhe strategjike për vendin.

Radio Evropa e Lirë: A është tarifa doganore njëra nga kërkesat?

Hashim Thaçi: Ka qenë vendim i Qeverisë, partnerëve të koalicionit, vendim të cilin partnerët e koalicionit dhe Qeveria janë duke e diskutuar për hapat e mëtutjeshëm.

Radio Evropa e Lirë: President, pse ju keni kërkuar pezullimin e taksës për mallrat nga Serbia përderisa Serbia ende nuk ka hequr dorë nga ofensiva politike ndaj Kosovës?

Hashim Thaçi: Unë as nuk kam propozuar vënien e taksës, as pezullimin e takës. Unë vetëm kam inkurajuar bartësit e institucioneve dhe liderët politikë që të shikojnë kah e ardhmja, kah hapat strategjikë që janë me interes jetik për shtetin. Nën një, që të prodhojmë argumente pozitive dhe ndihmuese për partnerët tanë, në veçanti SHBA-në dhe Bashkimin Evropian, të na ndihmojnë, dhe në asnjë rrethanë t’ua komplikojmë angazhimet e tyre apo të prodhojmë ngjarje negative që ua vështirësojnë partnerëve punën për të na ndihmuar, sepse Kosova mund të ecë përpara dhe mund të ketë sukses vetëm në një koordinim të ngushtë me SHBA-në dhe Bashkimin Evropian.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë pasojash mund të ketë Kosova nëse nuk e mbështetë kërkesën amerikane për suspendim të taksës?

Hashim Thaçi: Në asnjë çmim, në asnjë rrethanë nuk do të ketë refuzim të partneritetit. Dhe është jetike, përtej çdo politike ditore, bashkëpunimi strategjik dhe i përhershëm i miqësisë së thellë mes Kosovës dhe SHBA-së. Askush dhe asnjë agjendë tjetër nuk qëndron mbi interesat e partneritetit strategjik të Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pra asnjë person dhe asnjë agjendë tjetër.

Radio Evropa e Lirë: Kryeministri ka thënë, deri tash, që nuk do ta tërheqë vendimin, çfarë ndodhë tash?

Hashim Thaçi: U takon partnerëve të koalicionit dhe Qeverisë të ndërmarrin veprimet e nevojshme, por e theksoj, mesazhi im, shikimi kah e ardhmja, veprimet strategjike, veprime të cilat e çojnë vendin drejt liberalizimit të vizave dhe mbështetjes së fuqishme për forcimin e ushtrisë dhe konsolidimin e shtetit në rrafshin e brendshëm dhe atë të jashtëm.

​Radio Evropa e Lirë: Kryeministri Haradinaj, duke paraqitur kushtet për heqjen e taksës, kërkoi një konferencë ndërkombëtare për Kosovën. Sa mund t’i përshtatet Kosovës, tash, një konferencë e tillë?

Hashim Thaçi: Procesi i dialogut udhëhiqet nga Bashkimi Evropian, e ka mbështetjen e plotë të Bashkimit Evropian, kështu do të vazhdojë edhe në të ardhmen, nuk do të krijojmë rrethana favorizuese që sjellin në tryezë Rusinë.

Radio Evropa e Lirë: Konferenca ndërkombëtare mund ta bëjë këtë (sjellë Rusinë në tavolinë)?

Hashim Thaçi: Kemi besim të plotë në Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pa involvuar faktorë të tjerë të cilët nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe nuk kanë ndonjë simpati për të ardhmen e Kosovës në NATO dhe Bashkimin Evropian.

Radio Evropa e Lirë: Vendosja e taksës po vlerësohet se e ka bllokuar edhe procesin e bisedimeve me Serbinë, e cila thotë se nuk do të kthehet në tavolinën e bisedimeve pa u hequr taksa. A mund të dihet kur do të vazhdojnë bisedimet në Bruksel?

Hashim Thaçi: Unë inkurajoj partnerët e koalicionit që të vazhdojnë të diskutojnë dhe të marrin veprimet e duhura, të mençura, të jenë kreativ dhe fleksibil në qasjen e tyre në mënyrë që për Kosovën të jenë dyert e hapura edhe në Uashington edhe në Bashkimin Evropian dhe në vendimmarrje të qëndrueshme dhe të koordinuar. Kur Kosova ka marrë vendime të koordinuara me SHBA-në dhe Bashkimin Evropian gjithmonë ka dalë e suksesshme. Në rrethana tjera do të jemi një vend, me të vërtetë i harruar dhe i izoluar, gjë të cilën qytetarët e Kosovës nuk e meritojnë e as politika e Kosovës. Unë dua të kem besim në vullnetin e mirë të bartësve të institucioneve, kësaj radhe në iniciativat e kryeparlamentarit Kadri Veseli, por në të njëjtën kohë edhe në vullnetin e mirë të njerëzve të tjerë.

Radio Evropa e Lirë: A është korrigjimi i kufijve ende pjesë e bisedimeve apo në tavolinën e bisedimeve?

Hashim Thaçi: Delegacioni shtetëror i Kosovës është zgjedhur, ka mandatin e plotë nga të zgjedhurit e popullit e ka mbështetjen time të plotë. Prandaj, të gjitha gjërat që i diskuton ky delegacion në Bruksel do të jenë në një proces transparent dhe diçka e tillë, do të thotë angazhimet e ardhshme do të ballafaqohemi me agjendën që është për një marrëveshje gjithëpërfshirëse, që nënkupton njohjen reciproke dhe anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Radio Evropa e Lirë: Deri tash të gjithë liderët politikë janë deklaruar kundër korrigjimit të kufijve, e dje edhe ish partia juaj, PDK-ja, ka thënë të njëjtën. A mendoni që ideja juaj për korrigjim të kufijve e dëmton rolin tuaj kushtetues?

Hashim Thaçi: Të gjithë liderët dhe partitë politike në Kosovë janë për dialog, janë për negociata, janë për një marrëveshje me Serbinë që nënkupton njohjen reciproke dhe anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Sa i përket substancës së marrëveshjes, që do të jetë një marrëveshje gjithëpërfshirëse me njohje reciproke, me çështjet që do të përfshihen në kornizat e kësaj marrëveshjeje, pra edhe te çështja e të zhdukurve, refugjatëve, trashëgiminë kulturore serbe, zhvillimin ekonomik, arsimin, shëndetësinë, do të përfshihen. Kështu që, për substancën e marrëveshjes mbetet të diskutohet në hapat e mëtutjeshëm.

Radio Evropa e Lirë: Kush e mbyllë këtë proces, ju apo delegacioni shtetërorë që është zgjedhur?

Hashim Thaçi: Këtë proces e mbyll Parlamenti ose referendumi i qytetarëve të Kosovës.

Radio Evropa e Lirë: Në letrën tuaj drejtuar presidentit Trump, ju keni shprehur gatishmëri për një kompromis për arritje të një marrëveshjeje të balancuar me Serbinë. Çfarë nënkupton për ju marrëveshja e balancuar?

Hashim Thaçi: Ky dialog nuk është duke u zhvilluar vetëm nga Prishtina me Brukselin dhe Uashingtonin, por është një dialog i udhëhequr nga Bashkimi Evropian me mbështetjen e plotë të SHBA-së. Pra, dialogu me Serbinë. Kështu që e kemi parasysh se duhet të jetë një zgjidhje e balancuar që respekton sovranitetin e Kosovës, të ndodhë njohja e Kosovës, anëtarësimi në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Por, në të njëjtën kohë duhet kuptuar se kemi të bëjmë edhe me një palë tjetër në tavolinë.

Kështu që, unë besoj që propozimet e Bashkimit Evropian dhe vullneti ynë, edhe i Serbisë, do të jetë për një marrëveshje që i hap perspektivë euroatlantike edhe Kosovës edhe Serbisë, perspektivë evropiane dhe natyrisht fuqizimin e interesave gjeostrategjike edhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, NATO-s dhe Bashkimit Evropian për paqe të përhershme në Ballkanin Perëndimor.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë është Kosova e gatshme t’i ofrojë Serbisë, si kompromis?

Hashim Thaçi: Mbetet që delegacioni shtetëror i Kosovës të diskutojë për çështjet konkrete në fjalë se cilat çështje do të diskutohen dhe për të cilat mund të gjendet një zgjidhje kreative dhe elegante e pëlqyeshme për të dyja palët.

Radio Evropa e Lirë: A ka përpjekje që komuna ne veri të Mitrovicës të bëhet pjesë e një Mitrovice të bashkuar?

Hashim Thaçi: Gjëra të tilla nuk janë diskutuar. Por, e theksoj se në asnjë çmim, në asnjë rrethanë, dua t’i hedhë poshtë të gjitha dezinformatat qoftë për Gazivodën (Ujmanin), qoftë për veriun e Mitrovicës, qoftë për Trepçën, ato kanë qenë, janë dhe do të mbeten të pacenuara.

Radio Evropa e Lirë: Kosova është përfshirë nga vala e pakënaqësive sociale që manifestohet përmes grevave, a mendoni që para miratimit të ligjit për pagat ai duhet të kthehet edhe njëherë për një debat në mënyrë që të përfshihen pakënaqësitë?

Hashim Thaçi: Pushtetet në Kosovë janë të ndara, Parlamenti i ka punët e veta, Qeveria të vetat, natyrisht edhe Presidenti të vetat. Unë i kuptoj vështirësitë e Qeverisë, e në të njëjtën kohë e kuptoj edhe reagimin e punëtorëve të Kosovës. Por, si president i vendit i ftoj të gjithë për një dialog social, përmes dialogut mendoj që do të gjendet një zgjidhje e pranueshme. Edhe për Qeverinë, për mundësitë e saj edhe për kërkesat e punëtorëve.