Hashim Thaçi: Nëse nuk arrihet sivjet marrëveshja me Serbinë, hyjmë në një fazë të rrezikshme

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka bërë thirrje sot që të ndalen përpjekjet që Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe të ketë kompetenca ekzekutive.

Ndonëse nuk e tha specifikisht, Thaçi aludoi në një takim të mbajtur javën e kaluar në Berlin mes dy këshilltarëve të kryeministrit Ramush Haradinaj dhe përfaqësuesve të qeverisë së Serbisë.

Në një tryezë të organizuar nga Instituti RIDEA në Prishtinë ku po prezantohen rezultatet e një sondazhi rreth opsioneve të arritjes së një zgjidhjeje në dialogun me Serbinë, Thaçi tha se Kosova mund të hyjë në një fazë të rrezikshme nëse nuk arrihet një marrëveshje me Serbinë gjatë këtij viti.

“Përmbyllja e dialogut me Serbinë me marrëveshje ligjërisht obligative që obligon njohje reciproke është interes nacional i Kosovës. Prandaj është tejet e rëndësishme të jemi unik në këtë proces”, tha Thaçi.

Ai shtoi se njësia territoriale e shtetit të Kosovës “është e garantuar”.

“Ne duam qe njëherë e përgjithmonë të qartësojmë raportin tonë si shtet me shtetin e Serbisë”, tha ai.

“Nuk kam kurrfarë dyshimi qe marrëveshja mund të arrihet ketë vit. Por nëse nuk ndodh, mund të hyhet në një fazë të rrezikshme që mund ta destabilizojë edhe rajonin. Fatkeqësisht situata nuk është aspak e favorshme. Përkudnër iniciativave për ta zhbllokuar dialogun, rezultati është zero”, tha Thaçi.

“Është e qartë qe Asociacioni me kompetenca ekzekutive kundërshtohet nga qytetarët e Kosovës. E theksoj edhe njëherë botërisht më vjen mirë qe opsioni për korrigjimin e kufirit ka arritur përkrahje më të madhe, ka arritur efektin prej 35 për qind për kundër fushatës që kanë bërë partitë politike dhe të tjetër”, shtoi ai.

“Është për keqardhje që klasa politike po dështon që ta përkrahë Luginën për bashkim me Kosovës. Unë do të bëj gjithçka për aspiratën e shqiptarëve të Luginës që t’i bashkojë me Kosovën”, tha Thaçi.

Mbi 60 përqind e kosovarëve nuk e mbështesin korrigjimin e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, një opsion të cilin Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është duke e avokuar tash e gati një vit.

Hulumtimi i fundit i Institutit RIDEA në Prishtinë thotë se 55 përqind e kosovarëve janë absolutisht kundër një korrigjimi të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë në këmbim të njohjes globale të Kosovës dhe hapjes së rrugës që Kosova të marrë ulëse në OKB.

5.8 përqind e qytetarëve mendojnë se “ndoshta nuk duhet” që Kosova dhe Serbisë t’i ‘korrigjojnë kufijtë’ në këmbim të njohjes globale të Kosovës.

Ndërsa 15.2 përqind e qytetarëve, sipas sondazhit, mendojnë se “definitivisht duhet” që Kosova dhe Serbia t’i korrigjojnë kufijtë për të gjetur një zgjidhje politike mes tyre, ndër4sa 17.1 përqind mendojnë se “ndoshta duhet” që dy vendet t’i korrigjojnë kufijtë në këmbim të njohjes globale të Kosovës dhe hapjes së rrugës së Kosovës për një ulëse në OKB.