Hashim Thaçi ftohet ta intervistoj Sadri Ramabajën

Me propozim të prokurorit Special Sylë Hoxha presidenti i vendit Hashim Thaçi është ftuar në gjykimin për grupin e njohur si “Syri i Popullit”.

Aty ai është ftuar që në cilësinë e dëshmitarit ta marrë në pyetje ish-asamblistin e Vetëvendosjes Sadri Ramabajën.

Një gjë të tillë Hoxha e ka kërkuar në seancën gjyqësore e cila është duke u mbajtur sot në Gjykatën e Prishtinës.

Prokurori Special i kërkoi Gjykatës që Hashim Thaçit t’i lejohej që në cilësinë e palës së dëmtuar t’i parashtroj pyetje të akuzuarit Sadri Ramabaja.

Pas një kërkese të tillë nga ana e Prokurorit, është bërë përjashtimit i publikut dhe mediave nga salla.

Seanca gjyqësore është duke vazhduar.

Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë ndaj 10 personave në lidhje me këtë rast më 28 shkurt. Aktakuza ka të bëjë me plagosjen e ish-politikanit kosovar të viteve 1980, Azem Vllasi, tani avokat.

Ky proces gjyqësor është duke u gjykuar nga trupi gjykues i përbërë nga gjykatësit, Naime Krasniqi-Jashanica kryetare e trupit gjykues si dhe dy anëtaret e tjerë Valbona Musliu-Selimaj dhe Vesel Ismajli.

Ndërsa aktakuzën e Prokurorisë është duke e përfaqësuar Prokurori Special Sylë Hoxha.

Pjesë e aktakuzë janë veprat penale duke filluar hakmarrje, ndihma, dhunimi, përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve dhe hakmarrje.

Sipas prokurorisë, të akuzuarit planifikonin shkatërrimin e strukturave themelore politike, kushtetuese, ekonomike apo shoqërore të Republikës së Kosovës me sulme dhe me vrasje ndaj personaliteteve më të larta shtetërore duke filluar nga ish-funksionarët e lartë të Kosovës prej vitit 1980 deri në 1991, duke i konsideruar si tradhtarë të vendit, e po ashtu funksionarët nga viti 1999 deri në vitin 2016.

KALLXO.com e kishte siguruar aktakuzën ndaj të akuzuarve si pjesëtarë të “Syrit të Popullit”.

Sipas aktakuzës, organizata kishte grupe guerile, ndërsa kërkonte që Enver Hoxha të njihej si hero.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi lidhur me këtë rast.