Foto: Hashim Thaçi/Facebook

Hashim Thaçi flet për shkuarjen e Sami Lushtakut dhe Rrustem Mustafës në Hagë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se shkuarja për intervistim e gjeneralëve të UÇK-së, Sami Lushtaku dhe Rrustem Mustafa dhe e bashkëluftëtarëve të tjerë dëshmon fisnikërinë dhe drejtësinë e luftës së popullit të Kosovës dhe UÇK-së.

“Si bashkëluftëtar i juaj dhe president i vendit, kam besim të plotë në vlerat sublime për të cilat kemi luftuar. Bashkërisht i fituam shumë beteja, lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Bashkërisht me krenari do t’i fitojmë edhe sfidat e radhës”, ka shkruar Thaçi në Facebook.

Thaçi ka shtuar se shembulli i bashkëluftëtarëve të tij për t’iu përgjigjur ftesës së Gjykatës Speciale dëshmon më së miri se ata nuk i lëkund asnjë lloj pretendimi stigmatizues.

Ai po ashtu i ka ftuar edhe të gjithë të ftuarit e tjerë për intervistim t’i përgjigjen pozitivisht ftesave nga Dhomat e Specializuara.

“Jam i vetëdijshëm se shumë padrejtësi nuk e kanë marrë përgjigjen, as nga drejtësia vendore, as nga ajo ndërkombëtare: si vrasja nga shteti serb e 13,500 civilëve shqiptarë, kryerja e 400 masakrave, dhunimi i 20 mijë grave shqiptare, mijëra shqiptarë ende të pagjetur, spastrimi etnik i mbi një milion shqiptarëve”, ka thënë Thaçi.

Presidenti Thaçi ka deklaruar se e thotë me bindje të plotë se krimet nuk vjetrohen dhe përgjegjësit do të dalin para drejtësisë.

“Kosova beson në pastërtinë e luftës së UÇK-së, beson në drejtësi”, ka përfunduar ai.

Presidenti Thaçi ka publikuar një foto me dy ish-komandantët e UÇK-së para se ata të niseshin sot për në Hagë.

Postimi i plotë i presidentit Hashim Thaçi në Facebook: 

Jam i vetëdijshëm se shumë padrejtësi nuk e kanë marrë përgjigjen, as nga drejtësia vendore, as nga ajo ndërkombëtare: si vrasja nga shteti serb e 13,500 civilëve shqiptarë, kryerja e 400 masakrave, dhunimi i 20 mijë grave shqiptare, mijëra shqiptarë ende të pagjetur, spastrimi etnik i mbi një milion shqiptarëve.

Por, e them me bindje të plotë se krimet nuk vjetrohen dhe përgjegjësit do të dalin para drejtësisë.

Kosova beson në pastërtinë e luftës së UÇK-së, beson në drejtësi.

Shkuarja për intervistim e gjeneralëve të UÇK-së, Sami Lushtaku, Rrustem Mustafa, eprorëve dhe bashkëluftëtarëve të tjerë, dëshmon edhe një herë fisnikërinë dhe drejtësinë e luftës së popullit të Kosovës dhe UÇK-së.

Si bashkëluftëtar i juaj dhe president i vendit, kam besim të plotë në vlerat sublime për të cilat kemi luftuar. Bashkërisht i fituam shumë beteja, lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Bashkërisht me krenari do t’i fitojmë edhe sfidat e radhës.

Shembulli i juaj për t’iu përgjigjur ftesës së Dhomave të Specializuara dëshmon më së miri se luftëtarët e lirisë së Kosovës nuk i lëkund asnjë lloj pretendimi stigmatizues. Të gjithë të ftuarit e tjerë për intervistim edhe një herë i ftoj t’i përgjigjen pozitivisht ftesave nga Dhomat e Specializuara.

Në kohën e kanosjes ekzistenciale, ju, me guximin dhe dijen tuaj, të pamundurën e bëtë të mundur, ëndrrën realitet.

Ju jeni heronjtë kombëtarë të luftës, prandaj të tillë do të mbeteni gjithmonë për institucionet dhe popullin e Kosovës.   

Sot, për në Hagë janë nisur ish-komandanti i Zonës Operative të Drenicës, Sami Lushtaku dhe ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa.

https://kallxo.com/lushtaku-nuk-e-di-ne-cfare-cilesie-do-te-intervistohem-ne-hage/

https://kallxo.com/rrustem-mustafa-po-shkoj-ne-hage-te-pergjigjem-per-pretendimet-e-dick-martyt/

www.kallxo.com