Hashim Thaçi dhe Isni Kilaj këmbëkryq në odë me të dyshuarin për fajde

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është parë i ulur këmbëkryq në odën e Adil Thaqit, i cili dje është arrestuar nga Policia e Kosovës bashkë me katër persona të tjerë nën dyshimin se janë të përfshirë në fajde, detyrim dhe mashtrim.

Në një fotografi të publikuar në vitin e kaluar, presidenti Thaçi shihet bashkë me zëvendësministrin e Diasporës, Isni Kilaj, duke bërë muhabet në odën e të dyshuarit Adil Thaqi në Mirushë të Malishevës.

“Në odën e Adil Thaqi me Presidentin Thaqi”, ishin përshkrimi i bërë nga kryetari i PDK-së në Malishevë, Isni Kilaj, më 15 nëntor 2018.

KALLXO.com ka kontaktuar sonte Isni Kilajn dhe e ka pyetur për afërsinë që ka me të dyshuarin Adil Thaqi.

Kilaj tha se e ka shok të ngushtë Adil Thaqin dhe se beson në pafajësinë e tij.

“Ai është vendas i jemi, u kanë bashkëluftëtar i jemi, është shok i ngushtë i jemi, është njeri i mirë dhe jam shumë i sigurt që do të vërtetohet pafajësia e tij sepse është njeri i pastër dhe nuk ka kryer asnjë vepër. Ai është njeri që e fiton bukën e gojës, punëtor, ka shumë punëtorë kompania e tij ndërtimore, i respektuar… Jam befasuar kur e kam pa lajmin për arrestimin e tij”, u shpreh ai.

Kilaj e mohoi se i dyshuari ka të bëjë më ndonjë subjekt politik.

Ndërkaq, avokati Fanol Krasniqi ka thënë për KALLXO.com se Adil Thaqi nuk është marrë me veprat për të cilat po dyshohet nga Prokuroria.

“Adil Thaqi ka rrëshqitur në vepër penale me iniciativën e të dëmtuarit i cili i ka kërkuar ndihmë për me shty vaden e borxhit. Ai njihet si njeri shumë me autoritet të madh edhe është person me autoritet të lartë dhe personi i parë në Drenicë i cili ka bërë pajtim në mes të familjeve kur kanë pasë mosmarrëveshje deri në pajtimin e gjaqeve”, u shpreh avokati.

KALLXO.com ka raportuar dje (20 maj) së në mesin e personave që u arrestua është edhe pronari i disa bizneseve në Kosovë, Ismet Osmani i njohur me emrin “Curri”.

Gjithashtu, KALLXO.com mëson se katër të dyshuarit e tjerë janë Ilir Bojku, Adil Thaqi, Mentor Maqani, e Rrahim Hashimi.

Të arrestuarit për fajde e shantazh dalin para gjyqit

KALLXO.com raportoi më herët se i arrestuari i njohur si Curri shihet në një fotografi në krah me kryeparlamentarin Kadri Veseli dhe ish kryetarin e Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku.

I dyshuari Ismet Osmani “Curri” krah për krah me Kadri Veselin e Sami Lushtakun

www.kallxo.com

21 Maj 2019 - 22:10

Xheneta Murtezaj 21/05/2019 - 22:10
NDËRVEPRIMI0

KRYESORE

Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend