Gjykata e Apelit, Prishtinë | Foto: Kallxo.com

Hasan Shala do ta Drejtojë Gjykatën e Apelit

Hasan Shala nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës është zgjedhur sot kryetar i Gjykatës së Apelit.

Në mbledhjen e KGJK-së ku pikë e rendit të ditës ishte edhe zgjedhja e kryetarit të kësaj gjykate dhe Gjykatës Themelore në Gjilan, Hasan Shala u zgjodh në pozitën e të parit të Gjykatës së Apelit me votat pro të shtatë anëtarëve të KGJK-së, derisa njëri nga ta votoi kundër dhe një tjetër abstenoi.

Shala ishte ranguar si i dyti i listës së kandidatëve për ta udhëhequr Gjykatën e Apelit, por kandidatja e renditur më së miri Tomka Berisha dështoi të marrë besimin e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor.

Për Berishën dy anëtarë të KGJK-së votuan pro, një ishte kundër, ndërsa shtatë abstenuan.

Kandidat për ta drejtuar apelin ishte edhe Xhevdet Abazi, por ai u rangua i treti dhe për të nuk u votua fare, pasi i dyti i listës fitoi këtë pozitë.

Hasan Shala para zgjedhjes kryetar i Gjykatës së Apelit ishte gjyqtar në Departamentin e Përgjithshëm-Divizionin Civil të kësaj gjykate.

KALLXO.com shkroi në dhjetor se nga kandidatët për kryetar të Gjykatës së Apelit vetëm Hasan Shala nuk kishte të shqiptuar masë disiplinore.

http://kallxo.com/kandidate-mase-qortimi-ne-garen-per-kryetare-te-gjykatave/