Caktohet Data e Nisjes së Aplikimeve për Njohjen e Statusit të Personave të Dhunuar Gjatë Luftës

Kryeministri Ramush Haradinaj ka bërë thirrje për kurajo nga viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë për të aplikuar në njohjen e statusit të tyre ligjor.

Sot është shpallur fillimi i procesit të aplikimit për Njohje dhe Verifikimin e Statusit të Personave të Dhunuar gjatë luftës çlirimtare të Kosovës, proces ky që do të fillojë së zbatuari nga data 5 shkurt e këtij viti.

Në hapjen e këtij takimi, Haradinaj tha se qeveria i ka marr vendimet ligjore dhe buxhetor por sipas tij duhet punë në krijimin e një klime të përbashkët që viktimat e dhunës seksuale që ta ‘gjejnë mundësinë, kurajon që ta gëzojnë këtë të drejtë’.

“I falënderoj të gjithë ata që janë meritorë dhe që kemi ardhur deri në këtë ditë, jo vetëm institucionet e vendit por edhe mekanizmat e bashkësisë ndërkombëtare, institucionet ndërkombëtare dhe qeveritë veç e veç”, tha Haradinaj,

Pjesëmarrës në këtë ngjarje ishin përfaqësues të institucioneve të Kosovës, të shoqatave, të shoqërisë civile dhe ambasadorë të akredituar në Kosovë.