Ramush Haradinaj - kryeministër i Kosovës

Haradinaj: Urime liberalizimi i vizave, Gjermania na ka thënë 'Po'

Kryeministri i vendit Ramush Haradinaj, pas përfundimit të mbledhjes së kabinetit qeveritar, edhe njëherë ka shprehur falënderimet e tij për Kancelaren e Gjermanisë Angela Merkel dhe presidentin e Francës Emanuel Macron për Samitin e Berlinit.

“Mendoj që duhet si Kosovë t`i shprehim falënderim Kancelares Merkel dhe presidentit Macron për këtë iniciativë. Samiti ishte multilateral, por shumica e kohës i është kushtuar dialogut Kosovë – Serbi. Ndërsa takimi i Parisit është biletareal, në mes të Kosovës dhe Serbisë, pra është dialog mes dy vendeve”, deklaroi Haradinaj.

Haradinaj edhe njëherë ka ripërsëritur se nuk ka ndryshim të kufijve, por se dialogu do të vazhdojë për njohje reciproke Kosovë – Serbi.

“Qëndrimet nuk janë për korrigjim të kufijve më, por për njohje reciproke. Kështu jemi të gjithë. Takimi i Parisit është më serioz, dhe duhet të ndihmojmë veten. Duhet të koordinohemi me Amerikën sepse është garantuese e marrëveshjes. Ne kemi thënë konfirmim për pjesëmarrje në Paris, edhe unë edhe Presidenti. Kam kërku aprovimin e nikoqirit që me ardh edhe delegacioni shtetëror edhe përfaqësues të tjerë”, ka thënë kryeministri i vendit.

Lidhur me qëndrimet e presidentit të vendit Hashim Thaçi rreth taksës ndaj produkteve të Serbisë, Haradinaj ka thënë se: “Kam dhënë intervistë të kujdesshme. Ajo çka kam fol, qëndron. Qëndrimi publik ka peshë” deklaroi Haradinaj.

Ai poashtu ka folur edhe për çështjen e liberalizimit të vizave, për çka tha se ka marrë mbështetjen e Gjermanisë lidhur me këtë proces.

“Unë mund me i thanë Kosovës, urime liberalizimi i vizave. Kur ju kam thënë urime ushtria, nuk kanë besu. Kur thotë ministri i Punëve të Brendshme të Gjermanisë, ‘Po’ në emër të Qeverisë gjermane. Më nuk ka kurrkush dilema sa i përket Qeverisë së Gjermanisë. Ai ka thanë “PO menjëherë”, tha Haradinaj.