Foto: Kallxo.com

Haradinaj tregon se çka u bisedua në takimin e liderëve të partive të koalicionit

Në takimin e sotëm të liderëve të partive të koalicionit qeverisës, u diskutua për zhvillimet e fundit politike në vend, për funksionimin e institucioneve, përmbushjen e agjendës qeverisëse dhe legjislative, me theks të posaçëm aprovimin e Buxhetit 2019, pakon e ligjeve përcjellëse, platformën e dialogut dhe çështjen e taksës.

Kështu ka njoftuar Zyra e Kryeministrit Ramush Haradinaj përmes një komunikate.

Partnerët e koalicionit janë dakorduar që ditëve në vazhdim t’i intensifikojnë veprimet dhe aktivitetet drejt harmonizimit të vendimmarrjes për sa u takon temave të sipërpërmendura, thuhet në njoftim.

Gjatë takimit është biseduar kryesisht për aspektet kryesore që ndërlidhen me platformën e dialogut, e cila pritet të miratohet së shpejti në Kuvendin e Kosovës.

“Platforma e Dialogut do të reflektojë pozicionin unik të institucioneve të vendit për arritjen e një Marrëveshjeje Gjithëpërfshirëse Ligjërisht e Obligueshme, e cila duhet të rezultojë me njohjen reciproke dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Po ashtu, liderët e koalicionit u zotuan për intensifikimin e hapave dhe bashkërendimin e vendimeve me partnerët strategjikë të Kosovës, ShBA-të dhe BE-në.

Është vlerësim i përbashkët se koalicioni është funksional dhe stabil. Do të vazhdohet me përkushtim në arritjen e qëllimeve në përputhje me objektivat programore qeverisëse, thuhet po ashtu në njoftim.