Foto: ZKM

Haradinaj tregon garancitë që mori nga Angela Merkel

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, përfundoi takimin me Kancelaren e Gjermanisë, Angela Merkel, në Berlin.

Pas takimit, Haradinaj tha se me Merkel ka biseduar për zhvilli,met në rajon dhe marrëdhëniet bilaterale Kosovë- Gjermani.

“I nderuar me ftesën e kancelares gjermane, Angela Merkel, në Berlin, për të diskutuar rreth zhvillimeve të fundit në rajonin tonë dhe për nivelin e lartë të marrëdhënieve bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë. Sa i përket dialogut me Serbinë theksova se ne jemi për një Marrëveshje Gjithpërfshirëse, ligjërisht obliguese, përfshirë njohjen reciproke, në kufijtë ekzistues”, ka shkruar Haradinaj në Facebook pas takimit.

Ai tha se e ka falënderuar kancelaren gjermane për qëndrimin e shtetit të saj rreth kufijve të Kosovës dhe për qëndrimin pro liberalizimit të vizave për kosovarët.

Foto: ZKM

“Me këtë rast e falenderova Kancelaren Merkel për konsistencën e shtetit gjerman sa i përket mbrojtjes së sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës si dhe për vendimin e Gjermanisë për t’i thënë PO heqjes së vizave për qytetarët e Kosovës të cilët, ndonëse i përkasin popullit më proeuropian, gjatë kohë janë mbajtur të izoluar”.

“Nga kancelarja Merkel mora konfirmimin se Gjermania do të vazhdojë ta përkrahë Kosovën në rrugën e saj euroatlantike dhe forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar”, tha Haradinaj.