Haradinaj takoi kancelarin Austriak Sebastian Kurz

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në margjina të Konferencës për Ekonomi në kuadër të Procesit të Berlinit për vendet e Ballkanit Perëndimor, që po mbahet në Budvë, ka zhvilluar një takim të përbashkët me kancelarin e Austrisë, Sebastian Kurz dhe kryeministrin e Malit të Zi, Dushko Markoviq.

Gjatë takimit, siç theksohet është biseduar për bashkëpunimin dhe integrimet rajonale për të cilat kryeministri Haradinaj shprehu përkushtimin e Qeverisë së Kosovës që të jetë kontribuuese në këtë rrugë të përbashkët të vendeve të rajonit, në të njëjtën kohë kërkoi nga kancelari Kurz mbështetjen e Austrisë në këtë proces.

“Haradinaj njoftoi kancelarin Kurz dhe kryeministrin Markoviq për zhvillimet e përgjithshme në vend, përkushtimin e institucioneve në fuqizimin e sundimit të rendit dhe ligjit, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, zhvillimin ekonomik dhe agjendën e reformave evropiane”, bën të ditur kryeministria përmes një komunikate.

Haradinaj po ashtu ka vlerësuar raportet e mira të Kosovës me të gjitha vendet e rajonit, si dhe angazhimin e institucioneve të Kosovës në dialogun me Serbinë për të arritur një marrëveshje ligjërisht obligative, e cila do t’i kontribuonte stabilitetit rajonal dhe më gjerë. Kryeministri Haradinaj po ashtu ka kërkuar nga bashkëbiseduesit mbështetjen e vendeve mike në konsolidimin ndërkombëtar të Kosovës si dhe në rrugëtimin euroatlantik të saj.