Haradinaj takoi ambasadorin e Francës dhe Gjermanisë, bisedojnë për takimin e Berlinit dhe të Parisit

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka pritur në një takim pune ambasadorin francez, Didier Chabert, dhe ambasadorin gjerman Christian Heldt.

Sipas Haradinajt në këtë takim kanë shkëmbyer pikëpamjet për situatën e re të krijuar pas Samitit të Berlinit si dhe të ardhmen e takimit të Parisit.

“Shkëmbyem pikëpamje për momentumin e ri politik të krijuar pas takimit të nivelit të lartë të liderëve të Ballkanit Perëndimor në Berlin. Poashtu, diskutuam për takimin e radhës në Paris, si mundësi e mirë për të avancuar qasjen konstruktive për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi, që duhet të rezultojë me njohje reciproke në kufijtë ekzistues”, ka shkruar Haradinja në  facebook.

Shtetësia, integriteti territorial i Republikës së Kosovës dhe dialogu me Serbinë, ishin kryetema të samitit njëditor të Berlinit, që u mbajt më 29 prill në kryeqytetin e Gjermanisë, nën organizimin e kancelares gjermane Angela Merkel dhe presidentit të Francës, Emmanuel Macron.

Një takim i ngjashëm do të mbahet edhe në Paris më 1 korrik të këtij viti.