Kryeministri Ramush Haradinaj dhe zyrtarët e lartë të BE-së - Foto: KALLXO.com

Haradinaj: Strategjia e BE-së i Ka Lënë Çelë Rrugën Kosovës

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj dhe ministrja e Integrimeve Europiane, Dhurata Hoxha, thanë pas takimit me një delegacion të lartë të BE-së se Kosova i di kërkesat e Bashkimit Europian dhe se duhet punuar shumë në rrugën e integrimeve.

Pas takimit me delegacionin e kryesuar nga drejtori i përgjithshëm për Fqinjësi dhe Negociata për Zgjerim i Komisionit Europian, Christian Danielsson dhe drejtori i përgjithshëm i Shërbimit Europian për Veprim të Jashtëm, Thomas Mayr Harting, kryeministri Haradinaj tha se Strategjia e BE-së për Ballkanin Perëndimor i ka lënë rrugën çelë Kosovës, “por na duhet shumë punë”.

“Është vizitë që vjen një javë pas publikimit të Strategjisë për Ballkanin Perëndimor, e cila e thekson perspektivën europiane për gjithë Ballkanin, përfshi edhe Kosovën, ku tregon për punën që duhet ta bëjë Kosova, që lidhet me sundimin e ligjit, ekonominë dhe me pajtimin”, theksoi Danielsson.

“Dua ta falënderoj kryeministrin për reformat dhe për shtyrjen e agjendës përpara. Duhet të dimë që këto reforma janë të vështira… Është e rëndësishme që përveç punës së Qeverisë duhet të përfshihen edhe Kuvendi e shoqëria civile”, tha ai.

Kurse, Thomas Mayr Harting, u fokusua te roli i rëndësishëm që sipas tij ka pajtimi. “Askush nuk mund te ec përpara nëse s’ka pajtim te plotë. Strategjia është e qartë dhe thotë se s’mund të ketë progres për Serbinë nëse s’ka implementim të marrëveshjeve dhe ky është një mesazh i qartë”, shtoi ai.

Ndërsa, ministrja Dhurata Hoxha tha se insititucionet e Kosovës janë të interesuara të ndërmarrin hapa e nevojshëm për reformat. “Kemi koordinim të mirë dhe jemi duke punuar ngushtë edhe me Kuvendin e Kosovës sepse shumë reforma kërkojnë miratimin e Kuvendit”, theksoi ajo.

Drejtori i përgjithshëm për Fqinjësi dhe Negociata për Zgjerim i Komisionit Europian, Christian Danielsson, tha po ashtu se 93 nga 95 kushtet për liberalizimin e vizave janë plotësuar. “Njëra është demarkacioni dhe e dyta është lufta kundër korrupsioni. Ka progres në luftën kundër korrupsionit. Përgjigjja është nëse këto dy kushte plotësohen mund të ecim përpara”, theksoi ai.

Danielsson tha se kriteri për Demarkacionin është çështje që duhet të zgjidhet mes Kosovës dhe Malit të Zi  dhe se BE dëshiron që këtë çështje ta shohë të zgjidhur sa më shpejt.