Haradinaj: S’kemi asgjë të re për policët e humbur

Kryeministri Ramush haradinaj pas takimit me kryetarin e Skenderajt Bekim Jashari, foli edhe për dy policët e zhdukur në Lepenc.

Kryeministri Ramush Haradinaj, ka paralajmëruar se në momentin kur të kryhen kërkimet për policët e zhdukur në Kosovë, atëherë do t’i bëjë kërkesë zyrtare Maqedonisë në mënyrë që kërkimet të nisin edhe në territorin e vendit fqinj.

Unë ende nuk i kam bërë Maqedonisë një kërkesë zyrtare, por më shumë i kam bërë një kërkesë miqësore, por në momentin kur të mbyllet kërkimi në pjesën e Kosovës do të kërkojmë zyrtarisht për kërkimet edhe në pjesën e Maqedonisë.

Haradinaj foli për policët që po kërkohen, pasi u takua me kryetarin e Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari.

“Sa i përket policëve të humbur nuk ka asgjë të re ende. Kemi shtuar numrin e personelit aktiv. Rrethanat janë të pafavorshme dhe gjetja e trupave mund të jetë jo lehtë e identifikuar, do të jetë jo e largët për gjetjen e trupave”, tha Haradinaj.

Kryeministri tha se do t’u qëndrojë pranë familjeve të dy policëve në këtë rast dhe si qeveri, si shtet nuk do të turpërohemi para policëve që janë në detyrë”.

KALLXO.com që nga e shtuna kur policët me makinën e tyre zyrtare ranë në lumë, vazhdimisht shkroi për kërkimet e tyre.