Ramush Haradinaj. Foto: Kallxo.com

Haradinaj: S’ka shkëmbim territoresh, vizat në qershor

Kryeministri Ramush Haradinja ka pohuar se informacionet e plasuara në media rreth një plani të detajuar lidhur me shkëmbimin e mundshëm të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, fatin e Ujmanit dhe Trepçës, deri tek arritja finale,  janë pa rëndësi dhe nuk duhet kushtuar vëmendje.

Sipas tij, nuk do të ketë eksperimente me territor e as me kufijtë, dhe siç është shprehur ai, kushdo që guxon ta iniciojë një gjë të tillë bie ndesh me Kushtetutën.

Këto komente kryeministri Haradinaj i ka bërë pas akademisë së mbajtur për Enver Hadrin që u mbajt sot pasdite në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës.

“Nuk ka eksperimente. Kosova është një, është e 17 Shkurtit, me Kushtetutën e saj dhe kushdo që mundohet të përfitojë bën shkelje të saj dhe ligjit”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se kufiri i tashmë i Kosovës është po ai kufi të cilin e ka marrë në përgjegjësi NATO në vitin 1999.

“Po atë ne e kemi trashëguar me deklarimin e Kosovës shtet sovran. Bazuar në gjitha këto, krejt tjerat janë spekulime”, ka thënë ai, duke pohuar se një marrëveshje e mundshme do të jetë në kufijtë ekzistues dhe pa një republika srbska në Kosovë.

Ai nuk ka lënë pa përmendur edhe çështjen e liberalizimit të vizave, sidomos pas takimit me ministrin gjerman, Maas.

“Pas deklaratës së ministrit gjerman se janë duke u respektuar reformat dhe në bazë të këtij vlerësimi mendoj se po shkojmë drejt liberalizimit të vizave. Shpresoj shumë se në qershorin e këtij viti do ta marrin atë që është e drejtë e jona – liberalizimin i vizave”, ka thënë Haradinaj.