Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj

Haradinaj sërish i reagon KShC-së: Nuk mund t’i leni maturantët në rrugë

Kryeminstri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka reaguar sërish ndaj vendimit të Këshillit Shtetëor të Cilësisë për të mos akredituar universitetet e Pejës, Mitrovicës dhe Prizrenit për një vit akademik.

Haradinaj tha se ky vendim do t’i kushtojë studentëve të varfër që nuk kanë mundësi të vijnë të shkollohen në Universitetin e Prishtinës.

“Duhet me u angazhu por nuk e pranoj faktin që dikush i jep vetes të drejtë që maturantëve e familjeve të varfëra e mesatare, që prindërit e tyre nuk i kanë kushtet me i pru në Prishtinë, e me i lanë ata fëmijë në rrugë. Nëse dikush ka mendu që guxon ta bëjë këtë, ka gabuar, çfarë do profesionalizmi që kanë”, tha Haradinaj.

Ai madje e quajti krim veprimin e KShC-së duke vënë dyshime se këto vendime po merren në favor të kolegjeve private.

“Këta që po më thonë mua, je ngut Kryeministër, iu them se jam vonuar pak pa e ngrit zanin në do krime. Ky është një lloj krimi në vendin tonë, kur dikush ka arrogancë me i thanë krejt këtyre fëmijëve. Nashta edhe kanë dallavere me universitetet private, e s’kanë bo shumë regjistrime në universitete private, e në emër te cilësisë tash i mshelin këto e shkojnë te privatet. Por nuk munden sepse ata nuk janë fëmijë të familjeve të pasura”, tha Haradinaj.

“E di që kanë me kritiku, agjenci e pavarur, cilësia ajo, kjo, por po i shohim se çfarë mafie janë nëpër plotë këto institucione të pavarura”, tha Haradinaj.

Dje, Këshilli Shtetëror i Cilësisë ka vendosur për mosakreditimin e tri universiteteve publike pas raporteve të ekspertëve që vlerësuan se këto institucione nuk duhet të akreditohen.

Pas kësaj, reagoi kryeministri Ramush Haradinaj, duke e quajtur vendimin të papranueshëm dhe duke paralajmëruar ‘masa’.

Lidhur me këtë vendim pati edhe konferencë urgjente nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

https://kallxo.com/universitetet-e-pejes-prizrenit-dhe-mitrovices-nuk-mund-te-regjistrojne-studente-te-rinj/