Ramush Haradinaj - Foto: KALLXO.com

Haradinaj Reagon Ndaj Fyerjes të Ambasadorit Amerikan

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj,  ka bërë thirrje për distancimin nga deklaratat që Nasim Haradinaj, Kryetar i Shoqatës së UÇK-së i bëri ndaj Ambasadorit të SHBA-së në Kosovë, Greg Delawie.

Në një intervistë të dhënë për agjencinë e lajmeve ‘Kosovapress’, përfaqëuesi i veteranëve të luftës e kishte quajtur Delawie ‘palaço’,

“Delaëie më së pari është treguar një palaço, kur i ka thyer të gjitha rregullat dhe të  gjitha përgjegjësitë e tij si diplomat që i ka. Delawie nëse ka prova për komandantët që kanë bërë krime, le të urdhëron si dëshmitar. Nuk është Dealaëie i plotfuqishëm që të flas çfarë të do ai. Delawie më së pari nuk e përcakton dhe nuk mund të sillet në Parlamentin e Kosovës”, tha ndër tjerash Haradinaj.

Deklaratat e tij erdhën pasi Delawie dje kishte paralajmëruar pasoja për nismëtarët për shfuqizimin e ligjit për Gjykatën Speciale.

Kryeministri Haradinaj përmes një statusi në Facebook tha se gjuha fyese është e papranueshme edhe kur debatohet mbi Gjykatën Speciale.

“Fyerja e shprehur publikisht e Z. Nasim Haradinaj është në kundërshtim të plotë me etikën tonë të diskursit publik dhe normat të cilave iu përkushtohemi si qytetarë të Kosovës.I bëj thirrje të gjithëve që të distancohen dhe të përmbahen nga të shprehurit e një fjalori të tillë ndaj kujtdo qoftë”, shkroi Haradinaj.

Ndryshe, edhe Kryeministri i Kosovës si lider i partisë ‘Aleanca për Ardhmërinë e Kosovë’, ishte kundër formimit të Gjykatës Speciale.