Ramush Haradinaj - Foto: Atdhe Mulla

Haradinaj: Qeveria për herë të parë pas 8 vitesh po merret me pagat minimale

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj në seancën ku po diskutohet për pagën minimale të Kosovës, tha se Qeveria e tij për herë të parë po tenton që ta përmirësojë atë.

“Qeveritë e mëhershme nuk kanë lëvizë, ad-hoc e kanë lënë fjetur, arsyet i dinë vetë edhe është e pashpjegueshme me thënë që rritja e pagave të Qeverisë e ka shkaktuar këtë. I ka ardhur koha pas 8 vite m`u trajtu edhe kjo temë”, tha Haradinaj.

Ai shtoi se nga viti 2011 kjo temë nuk është prekur fare.

“Sot parlamenti e ka mundësinë të insistojë në marrje të një vendimi në përputhje më rritjen e pagave. Në sektor publik kur ka qenë paga minimale 130-170 merreni si ka qenë paga në sektor publik atëherë, merreni shikojeni si ka qenë atëherë, ajo është rrit në vazhdimësi, por nuk është prekë kurrë nga Qeveria, dhe ju lus ta ruajmë një kredibilitet të diskutimit”, tha Haradinaj.

Kreu i ekzekutivit theksoi se Qeveria që e udhëheq nuk është e përkryer ka ngecje, por e ka bërë një ligj të mirë për paga në sektorin publik.

“Përkundër fakteve të vendimeve të para të rritjes së pagave kanë qenë vendime të kritikuara, fatmirësisht kemi ardhë në një moment të vlefshëm, për herë të parë janë rritë pagat në sektorin publik. Për herë të parë në historinë e Qeverisë sonë që kemi Ligj për paga në sektor”, tha Haradinaj.