Haradinaj: Qeveria nuk do të ndalet deri në vendosjen e drejtësisë për vrasjen e vëllezërve Bytyqi

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka përkujtuar 20 vjetorin e vrasjes së vëllezërve Bytyqi.

“Kujtojmë sakrificën e tyre të pashembullt për lirinë e Atdheut. Ata erdhën nga ShBA-ja për t’iu bashkuar rreshtit të mbrojtësve të kësaj toke dhe thelbi i rënies së tyre shpalosë dimensionin e vërtetë të luftës sonë çlirimtare”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Më tej Haradinaj ka thënë se ekzekutimi i tyre pa gjyq dhe drejtësia e munguar e mbanë fajtor edhe sot shtetin serb për mosndëshkimin e krimit.

“Duke u përkulur para veprës kulmore të tre Heronjve të Kosovës, Qeveria e vendit zotohet se nuk do të ndalet së vepruari për vendosjen e drejtësisë”, ka përfunduar Haradinaj.

Ambasada e ShBA-së në Serbi, ka dalë me një njoftim në 20 vjetorin e vrasjes së vëllezërve Bytyqi ku ka shkruar që vrasja e tyre nuk harrohet dhe se vënia drejtësisë për vrasjen e tyre është një prioritet në marrëdhënien bilaterale me Serbinë.

20 vjet nga vrasja e vëllezërve Bytyqi, ende asnjë i dënuar