Haradinaj: Qeveria e Serbisë të mos e minimizojë përpjekjen tonë për luftim ndaj krimit

Kryeministri Ramush Haradinaj ka folur shkruar edhe njëherë tjetër për aksionin e sotëm të Policisë së Kosovës në veri të vendit ku janë arrestuar disa zyrtarë policorë mbi dyshimet për krim të organizuar dhe kontrabandë.

Reagimi i zyrtarëve të shtetit serbë, ka nxitur edhe kundër-reagimin e kryeministrit Haradinaj.

Ky i fundit, përmes një postimi në Facebook, i ka kërkuar Qeverisë së Serbisë të mos synojë t’i minojë përpjekjet e Kosovës për luftimin e krimit të organizuar.

“Forcimi i sundimit të ligjit është interes thelbësor i vendit dhe rajonit tonë. Krimi i organizuar dhe kontrabanda janë një kërcënim i drejtpërdrejtë për progresin tone të përbashkët, dhe NUK duhet të mbështetet mbi bazën e përkatësisë etnike dhe të çfarëdo baze tjetër. Qeveria e Serbisë nuk duhet të synojë minimin e përpjekjeve tona për luftimin e krimit të organizuar”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Në orët e para të mëngjesit, Policia e Kosovës ka ndërmarrë një aksion të madh në veri të vendit ku janë arrestuar një numër i zyrtarëve shtetëror.

Policia e Kosovës ka hasur në rezistencë dhe sipas informacioneve të para ka pasur edhe disa të arrestuar.