Foto: KALLXO.com

Haradinaj propozon të tërhiqet Projektligji për Financimin e Partive Politike

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka propozuar që në mbledhjen e radhës të Qeverisë të merret vendim për tërheqjen e Projektligjit për Financimin e Partive Politike nga Kuvendi i Kosovës.

“Pas shqetësimeve të ngritura nga Shoqëria Civile sa i përket ndryshimeve që i janë bërë Projektligjit për Financimin e Partive Politike, gjatë punës në Komisionet Parlamentare, kam propozuar që në mbledhjen e radhës të Qeverisë së Republikës së Kosovës të merret vendim për tërheqjen e këtij projektligji nga Kuvendi i Kosovës”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Sipas kryeministrit tërheqja e këtij projektligji është vendim i duhur.

“Duke e ditur rëndësinë që ka ky Projektligj, për zhvillimin e demokracisë në vend, nevojës së transparencës në funksion të politikbërjes dhe përfshirjes së të gjitha palëve në krijimin e tij, tërheqja e projektligjit dhe ridërgimi i tij, me bazë të mirë ligjore dhe demokratike, është veprim i duhu!”, ka shkruar më tej Haradinaj në Facebook.

Dhjetëra organizata të shoqërisë civile nuk po pajtohen me projektligjin për Financimin e Subjekteve Politike, pasi sipas ky është një projekt që shkon në interes të subjekteve të caktuara politike.

Organizatat e shoqërisë civile kishin organizuar “Marshin e Refuzimit” për të kundërshtuar Projektligjin në fjalë, përderisa sot (e premte) kanë protestuar për këtë çështje.

Ndërkaq, Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti është shprehur i shqetësuar për bojkotin që shoqëria civile po i bën Grupit Këshillëdhënës që e mbështet punën e Komisionit Parlamentar ad-hoc për përmirësimin dhe forcimin e procesit zgjedhor.