Ramush Haradinaj ne KEK

Haradinaj Premton se Nuk do të Ketë Shtrenjtim të Rrymës

Kryeministri i Kosovës ka vizituar sonte Korporatën Energjetike të Kosovës, KEK, prej ku ka premtuar se nuk do të ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike dhe ndërprerje të rrymës për festat e fundvitit.

“Nuk ka rritje të çmimit të rrymës dhe nuk ka ndërprerje”, tha para mediave Ramush Haradinaj, i cili ishte i shoqëruar nga drejtori i KEK-ut, Arben Gjuka.

Për festat e fundvitit, theksoi kryeministri, pret që do të ketë stabilitet të furnizimit, dhe shtoi se duhet të jemi aktivë që të fillojë prodhimi vendor dhe që vendi të mos bazohet krejt në import të energjisë.

Po ashtu, kryeministri Haradinaj foli edhe rreth procesit të zhvendosjes në fshatrat Hade e Shipitullë.

Lidhur me këtë çështje, Ramush Haradinaj tha se në mënyrë urgjente duhet të ndodhë dhe do të ndodhë zhvendosja e banorëve rreth zonës së mihjes në mënyrë që të aktivizohen blloqet e tjera të termocentraleve, sepse, sipas tij, aktualisht në funksion janë vetëm nga një bllok i TC “Kosova A” dhe TC “Kosova B” dhe se furnizimi tani është i varur nga importi.

“Procesi i përmbylljes së zhvendosjes është në fund. KEK është treguar gjeneroz, u ka gjetë vend për strehim, e merr përsipër qiranë për 6 muaj, shujtë…”, tha Haradinaj, duke shtuar se për shkak të rrezikimit të zonës, banorëve, nëse vonohet zhvendosja atëherë do të vendosin një plan emergjent të zhvendosjes, të bazuar në ligj. “Nuk mundemi të vazhdojë në pakufi gjendja”, tha Haradinaj.

Ditë më parë, kryeministri Haradinaj i quajti matrapazë banorët e këtyre dy lokaliteteve.

http://kallxo.com/haradinaj-nuk-lejojme-matrapaze-ta-bllokojne-kosoven/

Katër ditë para kësaj deklarate KEK-u u bëri thirrje banorëve të Hades e Shipitullës që deri më 15 dhjetor t’i nënshkruajnë kontratat e zhvendosjes.

Më 20 dhjetor, Qeveria e Kosovës ka nënshkruar marrëveshjen me kompaninë amerikane “Contour Global” për financimin e ndërtimit të termocentralit “Kosova e Re”.

http://kallxo.com/ministri-lluka-se-shpejti-kontrata-per-kosoven-e-re-behet-publike/