Ramush Haradinaj: Për Amerikën e lëshoj postin, por nuk e heq taksën

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, duket se ka rritur vendosmërinë për ta mbajtur në fuqi taksën doganore ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës.

Në një intervistë për RTK, Haradinaj nënvizoi se kjo taksë do të mbetet në fuqi edhe përkundër presionit të madh nga brenda e jashtë për ta larguar ose pezulluar atë.

“Po të vijë amerikani të më thotë, “Ramush, a po e lëshon detyrën”, unë largohem. Por nuk e çoj dorën që ta heq taksën ndaj Serbisë. Unë e kam thënë që nuk e bëj këtë”, tha haradinaj në këtë intervistë.

Ai tha se është me SHBA-në për çdo temë të botës, por në rastin Kosovë-Serbi, atëherë Kosova është palë dhe duhet t’i respektohet mendimi. Sipas tij, taksa nuk rrezikon raportet me SHBA-në.

“Mendoj që i kemi disa sfida në marrëdhëniet tona me SHBA-në. Por Kosova kurrë nuk do të jetë antiamerikane. Unë jam me SHBA-në në çdo temë të botës, por sa i përket Kosovës dhe Serbisë, unë jam palë, me të cilën jam ndarë prej luftës. Kjo nuk i rrezikon raportet. Kërkesa e SHBA-së është pezullimi. Asnjë veprim i yni nuk është bilateral me SHBA-në, asnjë gabim nuk e kemi bërë”, ka thënë Haradinaj.