Haradinaj: Për 3 muaj papunësia ka rënë për 4.7 për qind

Kryeministri Ramush Haradinaj ka publikuar disa të dhëna të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, ku deklaron se papunësia në Kosovë për muajt janar-mars ka rënë për 4.7 %.

“Bazuar në të dhënat zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, shkalla e papunësisë në Kosovë, është ulur në 26.9 %, për periudhën janar – mars 2019 në krahasim me periudhën tetor – dhjetor 2018 që ishte 31.6%”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Sipas këtyre statistikave që i ka publikuar kryeministrit, ulja e papunësisë ka kapur moshën 15-54 vjeçare.

“Këto statistika tregojnë edhe një fakt, që ulja e papunësisë ka ndodhur në grupmoshat 15-54 vjeçare. Nga 57.3 % të të papunëve nga kjo grupmoshë, tremujori i parë i 2019-tës, tregon një ulje për 7%, konkretisht 50.6 për qind”, ka shkruar tutje ai.

Ai i ka cilësuar si lajm të mirë këto statistika.

“Këto statistika, janë lajm i mirë për gjithë qytetarët tanë dhe dëshmi e zhvillimit të brendshëm ekonomik, megjithëse për Qeverinë e vendit, mbetet shqetësim i vazhdueshëm shkalla e papunësisë në vend”, ka shkruar ai.