Festa e 11 vjetorit te Pavaresise 1 foto KALLXOcom

Haradinaj: Për 11 vjetorin e pavarësisë u shpenzuan rreth 175 mijë euro

Kryeministri i vendit Ramush Haradinaj, në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të thirrur nga opozita ka shpjeguar versionin qeveritar për shpenzimet e 11 vjetorit të Pavarësisë dhe ndarjen e mjeteve financiare nga shpenzimet e paparashikuara.

Kryeministri tha se për pavarësi janë shpenzuar rreth 175 mijë euro, ndërkaq mjetet tjera i janë kthyer buxhetit të shtetit.

“Paret e ndara janë bartur ose janë dedikuar Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Aktivitetet e parapamr i ka bërë mekanizimi i Protokollit të shtetit për ngjarjet që pasojnë. Me sa kamë dijeni unë, kostoja e shpenzimeve për 11 vjetorin e pavarësisë është rreth 175 mijë euro, pra paret që janë ndarë më shumë, të gjitha të tjerat kthehen në buxhet”, u shpreh ai.

Haradinaj tha se ka kërkuar nja auditim të brendshëm dhe të përgjithshëm pas diskutimeve në publik për këtë çështje.

“Kam kërkuar një auditim me pa të vërtetën, çka do qoftë ajo, pa paragjykim. Pasi ju siguroj që shumica e personelit që punon në Zyrë të Kryeministrit nuk janë të AAK-së, as besa të PDK-së, ka të LDK-së, ka pa parti, pra janë 300-400 njerëz në Kryeministri”, tha kreu i ekzekutivit.

Sa i përket shpenzimeve të paparashikuara, kryeministri tha se ka vepruar siç kanë vepruar qeveritë e tjera.

“Në Kosovë ekziston tashmë një praktikë e vendosur, për shembull në vitin 2016 kanë qenë të ndame 8 milionë e 178 mijë e 741 euro kurse janë shpenzuar 8 milionë e 124 mijë e 976 euro dhe në fakt atë vit s’ka pas zgjedhje. Edhe në vitin 2017 janë shpenzuar mbi 6 milionë nga 7 milionë sa kanë qenë”, tha ai.

Sipas Haradinajt vendimet janë transparente.

“Disa nga vendimet nuk bëjnë përjashtim. Këto shpenzime nuk bëhen nga një rregull i vendosur nga unë. Nuk është i vendosur nga kryeministri Haradinaj. Në ato vite gjeni edhe pare për sëmundje të ndryshme, nuk dua të hy në detaje sepse është marre prej njerëzve”, u shpreh Hardinaj.

Kryeministri përfundoi se e mirëpret diskutimin në Kuvend për këto çështje.