Haradinaj: PDK e LDK, Vijë e Kuqe për AAK-në

Kryetari i AAK-së ka thirrur një konferencë për media pak çaste pas votimit të mocionit të mosbesimit të Qeverisë së Kosovës, gjatë të cilës ai ka folur se me cilat parti do të mund të bënte koalicion pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

“Nuk ka asnjë marrëveshje me partitë në pushtet. Aleanca ka vijë të kuqe me këto parti. Ne në asnjë variant nuk do të bashkëpunojmë me partitë në pushtet dhe i bëjmë thirrje qytetarit të vendit që t’i gjykojë këta me votë për dëme që ia kanë shkaktuar vendit dhe i bëjmë thirrje qytetarit që na japë besimin që ta shpëtojmë vendin nga katrahurat ku e kanë sjell PDK-ja dhe LDK-ja”, tha Ramush Haradinaj.

Ai tha se sot koalicioni PDK-LDK, ashtu siç e ka filluar pushtetin “me marre”,  “me marre edhe e përfundoi”.

“Përfundimi i kësaj qeverie, qeverisë Mustafa është lajm i mirë se Kosova është e sovranit prapë, është e qytetarit dhe ky lajm i mirë nuk bën me u prishë, me ndërhy në vullnetin e sovranit nga askush”, tha Haradinaj teksa bëri thirrje që sovranit t’i mundësohet të flasë lirshëm, që zgjedhjet të jenë të lira dhe fer dhe që mos të vidhen votat.

Haradinaj kërkoi edhe ndihmë nga Shtete e Bashkuara si dhe nga Bashkimi Evropian që në Kosovë të ketë proces zgjedhor fer.

I pyetur rreth votimit të demarkacionit me Malin e Zi, Ramush Haradinaj theksoi se rrëzohet ky version i gabuar dhe rikthehet versioni i drejtë.

Për çështjen e votimit të mocionit nga deputetë të PDK-së, Haradinaj e ka mirëpritur atë, duke e cilësuar si reflektim pozitiv. Por, ai e përsëriti se mocioni është meritë e opozitës, e Nismës, AAK-së dhe Vetëvendosjes.