Haradinaj: Pavarësia energjetike e Kosovës po përmbyllet

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se pavarësia energjetike e Kosovës po përmbyllet pasi më 14 prill të vitit 2020, Operatori i Sistemit të Transmetimit (KOSTT) do të fillojë të operojë si zonë rregulluese brenda Evropës.

Haradinaj ka shtuar se KOSTT do të operojë e pavarur nga Serbia sipas marrëveshjes së re të kyçjes në Rrjetit Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit të Energjisë (ENTSO-E).

Kryeministri Haradinaj e ka dhënë këtë lajm pas refuzimit të kërkesës së Serbisë nga Operatorët e Sistemit Transmetues të Europës Kontinentale, për rishikim të vendimit të tyre të fundit, që ka të bëjë me definimin e afatit kohor për operim të KOSTT-it zonë/bllok rregullues brenda Europës kontinentale, jo më larg se 14 prill 2020.

“Përgëzoj menaxhmentin e KOSTT-it, për insistimin e vazhdueshëm për pavarësimin energjetik të Kosovës, si dhe mirënjohës të gjitha kompanive homologe me KOSTT-in, miqtë tane amerikanë dhe gjermanë, që përkrahen të drejtën e Kosovës”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Marrëveshja për Energji është njëra prej marrëveshjeve të arritura në mes të Serbisë dhe Kosovës në dialogun disavjeçar.

Kjo Marrëveshje, e arritur në vitin 2013, nuk po zbatohet. Moszbatimi i saj ka pasoja të mëdha për Republikën e Kosovës qoftë në menaxhimin e sektorit të energjisë apo edhe financiare.

Dikur KEK-u e tash KESCO janë duke i furnizuar me energji elektrike katër komunat me shumicë serbe, por asnjëherë deri më tani nuk kanë pranuar asnjë pagesë. Këtë rrymë të shpenzuar në veri deri në muajin dhjetor të vitit 2017 e kanë paguar qytetarët e tjerë, kurse tash i paguan Qeveria e Kosovës. Përveç kësaj, Serbia duke u thirrur si pronare e rrjetit të transmisionit përfiton miliona euro, mirëpo ka ndikim edhe çmimin e energjisë së importuar.

E një nga pasojat e fundit është pamundësia për të funksionalizuar linjën interkonektive 400 kV që lidh Kosovën me Shqipërinë. E quajtura “Autostrada Energjetike” nuk po mund të funksionalizohet në plotëni përkundër që janë bërë gati 2 vjet që kur ka qenë e gatshme për të bartur energji.

Humbjet Milionëshe në Energjetikë

.