Haradinaj pas takimit me Kosnett: S’e kuptoj pse lidhet dialogu me heqjen e taksës

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj është deklaruar pas takimit që kishin me ambasadorin e SHBA-ve në Kosovë, Philip Kosnett.

Haradinaj tha se u është kërkuar që t’i jepet shans vazhdimit të dialogut Kosovë-Serbi dhe shtoi se nuk e kupton se pse dialogu ndërlidhet me heqjen e taksës ndaj produkteve serbe.

“Na kërkohet t’ia japim shansin dialogut, na kërkohet edhe nga ambasadori amerikan  dhe prej të gjithëve. I dëgjojmë me kujdes këto mendime. Dëshira jem është me pa dialogun të vazhdojë, por e thash edhe një herë por nuk e kuptoj pse  ndërlidhet vazhdimi i dialogut me një temë që është e Kosovës”, tha kryeministri.

Haradinaj shtoi se heqja e taksës për t’i dhënë dialogut rrugë, kanë dallime dallojnë.

“Edhe unë jam për me vazhdu dialogu, por nuk dua t’i ndërlidh temat. Vendosja e taksës ndaj Serbisë është vendim sovran i qeverisë së Kosovës”, u shpreh Haradinaj.

Tre krerët institucionalë, Presidenti Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj dhe kryeparlamentari Kadri Veseli mëngjesin e sotëm kanë hyrë në takim me ambasadorin amerikan, Philip Kosnett.

https://kallxo.com/kosnett-i-mbledh-kreret-e-shtetit-ne-takim/