Foto: Atdhe Mulla

Haradinaj: Pagat në Telekom mund të ulen rreth 20 përqind

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj u deklarua lidhur me idenë e uljes së rrogave në ndërmarrjen publike Telekomi i Kosovës për ta ruajtur nga falimentimi.

Haradinaj në konferencën pas mbledhjes së qeverisë, tha se ekziston një komplot për falimentimin e Telekomit dhe sipas tij një nga zgjidhjet për ruajtjen e ndërmarrjes është ulja e rrogave për të gjithë punëtorët.

“Për qef ua kisha rrit, krejtve. Ka plot komplote me bankrotu këtë kompani e me i qu 3 mijë vetë në shpi. Une po du me provu me shpëtu këtë kompani. Ulja e pagave është njëra nga veprimet. Ulja do t’i përfshijë të gjithë, mund të jetë një ulje rreth 20%. Jo me i qit prej pune, po me i rujt”, tha Haradinaj.

Ulja e pagave në telekom kishte filluar si iniciativë e Ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka i cili konsideroi se rrogat në këtë ndërmarrje janë shumë të larta, duke pasur parasysh gjendjen financiare të ndërmarrjes.

Lluka herën e fundit kishte raportuar se paga mesatare në Telekom është rreth 980 euro, mirëpo në raportin e fundit thuhet se kjo është rreth 1 mijë e 100 euro deri në  1 mijë e 150 euro dhe se duhet bërë rikonstruktime, pasi pa to Telekomi është i pashpëtueshëm.

http://kallxo.com/keshilltari-ne-mti-paralajmeron-ministrin-ptk-i-ka-rrezuar-dy-qeveri/